Bota

Tërmetet, Italisë i duhen 20-40 mld euro që të transformohet si Japonia

Në Itali, rreth 40% e popullsisë është e rrezikuar nga goditjet e tërmetit. Rreth 29,000 kilometra katrorë territor janë të ekspozuara nga rreziku i përmbytjeve dhe 70% banesave duhet të restaurohet për të përmirësuar sigurinë.

Shifra që nuk duhet të habisin mbi të gjitha Parlamentin, pasi janë të nxjerra nga Mocioni mbi Mbrojtjen e Territorit që është miratuar në vitin 2014.

Me pak fjalë, Italia jeton mbi një “bombë” që mund të pëlcasë nga momenti në moment në formën e tërmeteve, përmbytjeve, erozioneve vullkanike aktive ose jo.

Italianët janë ndër të tjera edhe një nga popujt që jeton duke “kryqëzuar gishtat”: vetëm 1% e 33 milionë shtëpive mbulohen nga një policë sigurimi për tërmetet dhe fatkeqësitë natyrore.

Japonezët, thonë ekspertët, dinë sesi të veprojnë: një tërmet si ai që u regjistrua në Lacio, Umbria dhe Marke verifikohet një herë në muaj dhe pa pasojat dramatike si ajo që pamë në Amatriçe, Arkuata del Tronto, por edhe ai në Akuila e Finale Emilia (Modena). Janë investuar shumë në dhjetë vitet e fundit. Vetëm sistemi i monitorimit dhe alarmit ndaj tërmeteve, që shfrytëzon teknologjinë satelitore ka kushtuar më shumë se një miliard dollarë.

Por, sa do t’i kushtonte Italisë që të transformohej si Japonia? Për këtë mjafton t’i hidhet një sy raportit Ance – Cresem në lidhje me temën të publikuar në vitin 2012, pas tërmetit në Emilia. Zonat me rrezik të lartë sizmik, përbëjnë rreth 36% të popullsisë, 22 milionë persona dhe 5.5 milionë godina rezidenciale dhe tregtare.

Katër vjet më parë, Corrado Clini, atëherë ministër i Mjedisit në qeverinë Monti deklaroi se për ta bërë Italinë të sigurt ndaj tërmeteve do të nevojiteshin 24 miliardë euro për një periudhë 20-vjeçare, që më pas ndryshoi në 40 miliardë euro për 15 vjet.

Sot, ka nga ata që propozojnë që të përdoren rreth 10-15 miliardë euro nga fondet e BE-së për rikualifikimin e godinave që janë të ekspozuara më shumë ndaj tërmeteve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button