Groenlanda dhe Danimarka: Bisedimet me SHBA pozitive
Ministrat e jashtëm të Groenlandës dhe Danimarkës thonë, se shpresojnë të zgjidhin kërcënimin ekzistencial që u paraqet atyre obsesioni i presidentit të SHBA-së Donald Trump për të marrë në zotërim territorin autonom.

Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, i përshkroi bisedimet diplomatike me SHBA-në të shtunën (07.02.2026) si “pozitive”, megjithëse tha se fati i territorit autonom nën Danimarkën mbetet i pasigurt, ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vazhdon të përsërisë dëshirën e tij për ta pasur atë për SHBA-në, duke përmendur interesat e sigurisë kombëtare.
Ende rrugë e gjatë përpara
“Nuk jemi ende aty ku duam të jemi”, tha Motzfeldt gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen dhe Ministren e Jashtme kanadeze Anita Anand, të cilët hapën një konsullatë të re kanadeze në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, të premten.(06.02.2026)
“Do të ketë një rrugë të gjatë, kështu që se ku do të arrijmë në fund, është shumë herët për ta thënë.”
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm danez e përshkroi situatën në terma të ngjashëm, duke thënë: “Nuk kemi dalë nga kriza dhe ende nuk kemi një zgjidhje”, duke vazhduar, “jemi në një pozicion shumë më të mirë tani, krahasuar me disa javë më parë”.
Përpjekjet e Trump filluan me mendimet rreth blerjes së ishullit arktik të Groenlandës nga Danimarka gjatë mandatit të tij të parë në detyrë. Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, ai nuk është lodhur së shprehuri publikisht dëshirën e tij për t’ia rrëmbyer territorin aleatit të NATO-s, Danimarkës.
Edhe pse ushtria amerikane ka lirinë për të krijuar dhe operuar bazat lirisht në Groenlandë falë një traktati të vitit 1951, Trump ka këmbëngulur se mund ta mbrojë territorin vetëm nëse SHBA-ja e zotëron vërtet atë, duke e quajtur atë një hap “të rëndësishëm psikologjikisht”.
Tërheqja nga kërcënimet reciproke
Duke folur në skenën botërore në Forumin EKonomik Botëror të Davosit, Trump argumentoi që SHBA-së t’i jepej pronësia e territorit,megjithëse ai u tërhoq nga kërcënimet maksimaliste për veprime të mundshme ushtarake amerikane për t’u siguruar që ky vizion të bëhej realitet.
Kur aleatët e BE-së dhe NATO-s e kundërshtuan publikisht dhe në mënyrë agresive këtë ide, Trump kërcënoi të vendoste tarifa masive ndëshkuese. Që atëherë ai është tërhequr edhe nga ky kërcënim, megjithëse aleatët mbeten të kujdesshëm ndaj udhëheqësit të paqëndrueshëm.
Kjo çoi në krijimin e një grupi pune Danimarkë-Groenlandë-SHBA, i cili u formua për t’u kujdesur për shqetësimet e sigurisë së SHBA-së. Trump këmbëngul se Kina dhe Rusia janë gati të sulmojnë Groenlandën ndërsa shkrihen akullnajat e Arktikut dhe hapen korsi të reja transporti detar. Danimarka dhe aleatët e tjerë të saj në NATO thonë se nuk është kështu.
Lokke Rasmussen tha të shtunën se bisedimet fillestare kishin ndodhur tashmë dhe se do të pasojnë të tjera.
Motzfeldt shtoi se e mirëpriti mundësinë për t’u angazhuar në “dialog të drejtpërdrejtë” me SHBA-në.
Si Groenlanda ashtu edhe Danimarka kanë deklaruar prerazi, se sovraniteti dhe integriteti i tyre territorial janë “vija të kuqe” absolute dhe nuk janë në diskutim.
Duke vënë në dukje se kjo u ishte bërë jashtëzakonisht e qartë homologëve të tyre amerikanë, Lokke Rasmussen tha, se mendonte se ishte e mundur “të gjendej një zgjidhje duke respektuar në të njëjtën kohë këto vija të kuqe”.
I pyetur nëse SHBA-të po respektonin qëndrimin e Danimarkës dhe Groenlandës, Lokke Rasmussen tha: “Nuk dua të hyj në detaje”.



