Gurët mbi Parreno-n dhe arti bashkëkohor
Klod Dedja, kurator i “Informal Manifest”, në një bisedë për raportin mes politikës dhe artit
Philippe Parreno, një nga artistët më të njohur në skenën e artit bashkëkohor sot në botë, do të grishte një ndër debatet më të mëdha që një vepër arti ka bërë në Shqipërinë e këtyre viteve të fundit. Instalacioni i tij i vendosur në ballinë të Kryeministrisë apo hyrjes së COD (Center of Dialogue and Opnness), do të ngjallte një debat publik, shumë larg koncepteve që provokon arti i Perrano-s. Një debat që asnjëherë nuk shkoi në kufijtë e asaj çfarë vepra mbart, por në një shou që tregoi në një farë mënyre dhe raportin që kemi ne me forma të tilla estetike. Vepra ishte pjesë e ekspozitës që shoqëroi hapjen e COD, ku për herë të parë në një galeri shqiptare u bënë bashkë emra të njohur të artit bashkëkohor, si Thomas Demand apo Carsten Holler (vepra e tij është kërpudha e vendosur në hapësirën e gjelbër të Kryeministrisë). Por Parreno, streha e tij me dritëza të vogla, ishte ajo që do të shkaktonte debat, duke marrë epitete nga më të ndryshmet. Një nga pyetjet që u shtrua këto kohë nga ata që e njohin cilësinë e një arti të tillë, ishte në duhet të ishte aty ky instalacion apo diku tjetër? A ishte Parreno një provokim i bërë me shkas, pikërisht në një vend politik, duke ngulmuar mbi edukimin e një shijeje estetike të hollë? Ndërsa debatet për Parreno-n, që jashtë duhet të kushtojë shumë nëse sheh një ekspozitë të tij, vijojnë, vetëm pak ditë më parë instalacioni u godit me gurë nga protestuesit. Klod Dedja, artist, kurator arti, ishte duke realizuar një tjetër manifest artistik në kohën e këtij procesi mes Parreno-s dhe publikut. “Informal Manifest” ishte ekspozita që bëri bashkë artistë si Alban Hajdinaj, Heldi Pema, Robert Gligorov, Kozmos, Ema Andra në ish-muzeun e diktatorit Hoxha, Piramidë. Duke krijuar art në një vend që shtrihet në një histori politike, duket sikur veprat nuk mund të evokojnë të kundërtën. Më poshtë Dedja vjen në një bisedë mbi raportin e Parreno-s me ne si shoqëri dhe “Informal Manifest”.
Vendosja e instalacionit të artistit Philippe Parreno në hyrje të Kryeministrisë, instaluar në hyrje të COD Center of Dialogue and Opnness, u prit me keqkuptim që në fillim, për vetë debatet që kjo vepër solli në opinionin publik … Pse u keqkuptua, nëse mund ta quajmë kështu, Parreno?
Keqkuptimi është elementi thelbësor i padijes, injorancës së pavetëdijes dhe të keqedukimit vetestetik dhe shpirtëror … Gurë mbi Philippe Parreno janë gurë mbi jetën, thellësinë, cektësinë, sipërfaqen, vdekjen, thyerjen … autoshkatërrimin. Për këtë arti bashkëkohor është tejet delikat në llojin e vet, sidomos në vende të vogla, siç është e vogla Shqipëri. Natyrisht problemi nis nga edukata e kuptimit, hapësira e perceptimit, respekti mbi procesin krijues apo avantgardë. Philippe Parreno është një artist përtej konceptuales dhe vizuales, në të njëjtën kohë ironik dhe i drejtpërdrejtë. Të perceptosh një vepër bashkëkohore, duhet të kesh minimumin e edukatës shkollore, si një sistem vlerash ndaj individualizmit dhe shijeve të holla progresiste përtej lirive personale. Ja përse Philippe Parreno ndodhet në COD (… por ju kujtoj që edukimi nuk nis nga “COD” apo nga politika mbi karrige). Arti është provë e suksesshme e ndjesive të lira dhe perceptimeve të padukshme për të krijuar një edukim perceptiv dhe aspak politik mbi vlerat futuriste. Vepra e Pilippe Parreno është ëndrra e atyre shqiptarëve që ëndërrojnë, njëkohësisht dhe ëndrra e atyre që nuk duan të ëndërrojnë.
Gurët e hedhur mbi këtë vepër vetëm pak ditë më parë, gjatë protestës së opozitës, çfarë janë?
Gurët janë … jam unë, ti ai, ajo, ne, ju ata, ato. “Gurët” janë e vërteta dhe esenca e konfliktit mbi “domosdoshmërinë” e gurëve, por konflikti mbetet i ngërthyer në mohimin e vlerave. Pasi ndodh nga vandalizmi i keqedukimit. Arti e kërkon këtë konfrontim. Por në këtë kontekst social politik ai tenton të mos preket, sepse ai tenton të zhbirojë raportin e paraportueshëm: popull + artist. Arti është status krijimi dhe jo vegël kundrejt statusit. Artistët janë inteligjentë për të kuptuar pse duhet “një vepër” brenda një “oborri të mbyllur” … Vetëpjesëmarrja e artistit Philippe Parreno është një ironi në vetvete, edhe pse DIKUSH tenton ta kalojë “veprën” ndërmjet tunelesh politike. Parreno di ta bëje dhe di ta vendosë apo … ta humbë veprën. Politika ka pasur një regres në zhvillimin e shijeve të lira dhe konflikti zhvillohet pikërisht në mungesën e saj. COD u krijua nga Kryeministri, por ky efekt do të mbetet politik, sepse në esencën e tij, Kryeministri është i bërë pis nga presioni i dëshirave të lindura nga karrigia politike. Kufijtë janë të hollë kur flasim për kërkimin dhe promovimin e shijeve njerëzore, sepse vetë arti ekziston ndërmjet eksperiencave ekstreme të mendimit konceptiv, është ai element social absolutisht brenda gjithçkaje, që tenton të përkthehet si proces nën proces. Natyrisht gjesti i instalimit të një vepre të tillë në Tiranë duhet të shihet si pozitiv, si një tentim për të krijuar pika referimi të veprave të rëndësishme botërore në Shqipëri. Unë nisem nga kjo dëshirë për ta kthyer Shqipërinë jo vetëm në një vend ekzotik, por edhe me elemente të estetikës së artit. Në formë të padukshme kjo vepër do të mund të lërë një gjurmë kundrejt mentaliteteve të prapambetura. Politikën do ta mbaja larg çdo veshjeje sentimentale apo propagandistike.
Ka nga ata që mendojnë se kjo vepër shumë mirë mund të ishte vendosur diku tjetër. Ku mund të vendosej?
Po, kjo vepër mund të zhvendoset në këto vende: Bulqizë, Spaç, Laprakë, Metalurgjik Elbasan, Vermosh, Morinë, Prishtinë, Serbi, kozmos, hiç, kufij, përtej …
Kufiri mes artit dhe politikës, si duhet të jetë … Ju vetë në “Informal Manifest” duket sikur ironizonit politikën me një pjesë të veprave që prezantuat?
Kufijtë janë idiotësira të mendjes apo “kubizmit të mbyllur personal” …. Arti është shije e hapur dhe jo vrimë e zezë. Një formë e përcaktuar dhe aspak futuriste krijon një format të përcaktuar dhe të mbyllur, por nuk mund të ndikojë mbi evolucionin apo fuqitë e mendimit krijues, mbi lirinë e veprimit apo shijet e përqendrimit esencial. Pa një mendim esencial, “gurët” mund të modifikoheshin në “molekula” … një materie që në periferi quhen “gurë”, ndërsa në art mund të quhet “Konfrontim” …. Pikërisht në këtë moment tavolina virtuale e bardhë dhe e gjatë është e propozuar nga unë, mbart këto elemente të konfrontit: Philippe Parreno + b) materia popullore + c) kamuflazhi politik + d) estetika e lirë. Informal Mind MANIFEST është tavolina e gabimit dhe procesit pa kompromis, esenciale e vlerave kontemporane, keqkuptimi i deklaruar dhe mbivlerësimi i mohuar: Ky event nuk është ekspozitë apo prezantim, por një deklarim ndërmjet simbolikës së veprave pjesëmarrëse, për më shumë si manifest i një qëndrimi politikisht korrekt me përballjen, shpalosjen dhe dëshirat. Në sipërfaqe të çdo perceptimi Informal Mind, nuk është një produkt i nevojshëm, por i domosdoshëm në llojin e vet. Duke lindur si pasojë e keqinformimeve apo keqedukimit mbi artin bashkëkohor, tendenca për të qenë të parashikueshëm është zero. Nga kjo rrjedhojë, edhe shijet estetike nuk i përngjajnë konceptuales, por simbolikës së drejtpërdrejtë, sikur të dojë të fusë në krizë vetveten me pyetjen:
… sa shumë peshon arti bashkëkohor? Këto retorika nga romanticizmi modern, bëjnë të mundur kundërreaksione të vërteta interpretimi, si një gjest i deklaruar, duke përdorur komunikimin si urë drejt artit dhe jo e kundërta. Duke u nisur nga komunikimi si dëshirë-manifest, përpjekjet i drejton në forma kubike të rregullta me potencën e simbolit të personalizuar. Duke u nisur nga forca e krijimit dhe kulturave të hapura, vepra e Parreno-s nuk mund të jetë subjekti i prepotencave, sepse në të njëjtën kohë sapo kemi goditur vetveten mu në thelb. Mbroni artin dhe lëreni të futet në estetikën urbane, në optikën personale, pasi çdo ditë nga pak këto vepra do të rrisin brenda jush elementin e padukshëm të shijeve të bukura dhe logjike.