Haga merr vendim për vizitat e Hashim Thaçit
Gjyqtari Christopher Gosnell konstatoi se rreziku i ndikimit të dëshmitarëve është pakësuar ndjeshëm; kufizimet do të rishikohen sërish në dhjetor 2026
Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë ka marrë një vendim të ri lidhur me vizitat e ish-presidentit Hashim Thaçi në qendrën e paraburgimit, në kuadër të çështjes së dytë gjyqësore ku ai akuzohet për tentim-pengim të drejtësisë. Vendimin, të datës 21 shtator, e ka nënshkruar gjyqtari Christopher Gosnell.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndalimi i vizitave do të vazhdojë të jetë në fuqi vetëm për katër persona, ndërsa për vizitorët e tjerë të specifikuar ndalimi hiqet me efekt të menjëhershëm. “Vizitat e tyre do të mbikëqyren në mënyrë aktive”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Në arsyetimin e vendimit, gjyqtari Gosnell konstatoi se ecuria e procesit ka pakësuar ndjeshëm, në mos ka eliminuar plotësisht, rrezikun e ndikimit të dëshmitarëve në këtë çështje gjyqësore. Megjithatë, sipas tij, vazhdimi i ndalimit të vizitave nga katër individët e përcaktuar mbetet proporcional dhe i domosdoshëm për ruajtjen e integritetit të procesit.
Kufizimet për vizitat do të rishikohen përsëri në dhjetor 2026, ndërsa gjykata do të vazhdojë ta monitorojë situatën.
Në një vendim tjetër, të datës 16 shtator, që lidhet me paraburgimin në çështjen “Thaçi dhe të tjerët”, Trupi Gjykues II pezulloi përkohësisht kufizimin e numrit të vizitave jo të privilegjuara personale të Thaçit, Veselit dhe Selimit për periudhën 16–21 shtator 2026, duke autorizuar Administratoren që të planifikonte vizita shtesë gjatë asaj periudhe.
Burimi: Klan Kosova



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.