Hahn: Liria e medias, shqetësim kryesor i KE
Liria e medias është kusht i panegociueshëm për çdo vend që synon të bëhet pjesë e BE-së. Mesazhin e tij për pushtetin e katërt, Johanes Hahn e përcolli në ditën ndërkombëtare të medias, kur foli për njëanshmëri politike apo “fake news”, lajmet e rreme.
Kritik, siç ka qenë përgjatë javëve të fundit ndaj medias, edhe këtë herë kryeministri nuk ngurroi të flasë sërish me të njëjtën gjuhë ndaj medias shqiptare.
“Sot, ne kemi një problem të rëndësishëm, që natyrisht është pjesë e një procesi tërësor transformimi. Kurrë nuk i besohet një gazetari të pasur. Sot është themelore që të kërkojmë e të gjejmë të gjitha rrugët për t’i dhënë kësaj lirie sensin e fisnikërisë. Një sens i humbur që i ka kthyer mediat sot në Shqipëri në institucione të pabesueshme për publikun. Detyrimi për ta kërkuar dhe për të mos e lënë lirinë e medias në rrjedhën e lirë të degradimit të saj të përditshëm është i të gjithë shoqërisë”, tha Rama.
Kryeministri përmendi raportet e fundit të“Freedom House”, të cilat dalin në konkluzionin se mediat në vendin tonë janë pjesërisht të lira dhe se përmirësimi i tyre nis nga harmonizimi i legjislacionit dhe rritja e transparencës.