Halim Kosova: Uroj Veliajn për fitoren. Të vijojë me kujdes numërimi
Kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova ka bërë këtë të martë deklaratën e parë pas numërimit të pjesës dërrmuese të votave, që i japin fitoren e padiskutueshme rivalit të tij, Erjon Veliaj.
Në fjalën e tij, doktor Kosova ka falenderuar stafin e fushatës për mbështetjen, ndërsa nuk ka ngurruar të urojë kandidatin fitues.
“Falenderoj ata të rinj e të reja që vajtën derë më derë në shtëpitë e qytetarëve. Falenderoj ekipin tim të fushatës që punoi me përkushtim. Uroj Erjon Veliajn për fitoren dhe shpresoj se ai do t’i mbajë premtimet e bëra”, ka thënë Kosova.
Ai ka ftuar numëruesit e opozitës që të vijojnë punën me përkushtim, pasi procesi i numërimit vazhdon me kandidatët e këshillit bashkiak.
Më tej, zoti Kosova u ka premtuar qytetarëve të Tiranës, se angazhimi i tij në shërbim të interesave të tyre do të vazhdojë.