Kosova

Mustafa në Panairin e Punës- Prezantohen mbi 500 vende të reja pune

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në hapjen e Panairit të Punës të organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Në këtë panair u prezantuan mbi 500 vende të reja pune. Pas vizitës së zhvilluar te kompanitë dhe bizneset pjesëmarrëse në panair, kryeministri Mustafa e vlerësoi këtë panair.

“Kemi një numër të konsiderueshëm të bizneseve sot, do të jenë ndërmjet 40-50 biznese nga Kosova dhe llogarisim që ofertat e punës, të cilat sot do të bashkërenditen këtu me ata që kërkojnë punë, do të jenë mbi 500 të tilla në fusha të ndryshme, që është një mundësi e veçantë për të rinjtë tanë për punësim brenda. Por, natyrisht kemi edhe shansin e atyre që dëshirojnë që përkohësisht të punësohen jashtë, që të shprehin nevojat dhe kërkesat e tyre”, tha kryeministri Mustafa

Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë panair, kryeministri Mustafa shprehu nevojën e zhvillimit të Kosovës.

“Kemi nevojë të hapim vende të reja të punës, të bëjmë progres në zhvillimin ekonomik, të kemi një bashkëpunim shumë më të afërt me odat ekonomike, të cilat po tregohen shumë aktive dhe shumë të orientuara në këtë proces dhe të arrijmë që të plotësojmë kërkesat e qytetarëve tanë, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës”, tha kryeministri Mustafa.15pan

Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi, nëse janë në kërkim të një vendi të punës.

“E tha edhe kryeministri mjaft mirë, që ofrohen mbi 500 vende të punës vetëm brenda territorit të Kosovës , dhe një numër tjetër i vendeve të punës, që ofrohen nëpër shtetet e jashtme. Meqenëse ne gjithmonë e konsiderojmë rininë si njërin prej aseteve kryesore për zhvillimin ekonomik të këtij vendi, atëherë natyrisht që promovojmë punësimin brenda Kosovës. Është një moment i mirë që në përvjetorin e 8-të të Pavarësisë së Kosovës të promovojmë edhe mundësi punësimi, edhe mundësi shprese në të njëjtën kohë”, tha Zeka.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button