HAMBURG – Studentët bllokojnë godinat e universitetit, protestojnë kundër militarizimit dhe shkurtimeve në arsim
HAMBURG, 16 nëntor /ATSH-DPA/- Studentët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara (HAW) në Hamburg, kanë protestuar kundër shkurtimeve të fondeve për arsimin, shërbimet sociale dhe shëndetësinë, si dhe kundër rritjes së militarizimit të shoqërisë.
Gjatë protestës, të zhvilluar paraditen e sotme, studentët bllokuan përkohësisht godinën e universitetit në rrugën Alexanderstraße.
Sipas policisë, në protestën pa një leje paraprake, morën pjesë rreth 100 persona. Protesta zgjati rreth tri orë dhe u zhvillua në mënyrë paqësore.
Ndër kërkesat konkrete të protestuesve, është edhe pagesa për periudhat e detyrueshme të praktikës profesionale gjatë studimeve.
Sipas tyre, këto praktika aktualisht nuk paguhen dhe përbëjnë një barrë të konsiderueshme financiare për shumë studentë.
Një tjetër çështje që kundërshtohet është bashkëpunimi i Universitetit të Shkencave të Aplikuara (HAW) me kompaninë e industrisë së armatimeve “Rheinmetall”, në kuadër të programeve të studimit të kombinuar me praktikë në fushën e inxhinierisë elektrike.
Studentët kërkojnë zbatimin e plotë të rregullit të universitetit, që parashikon se kërkimi shkencor dhe mësimdhënia, duhet të kufizohen në qëllime civile dhe të mos përdoren për qëllime ushtarake.
Përmes bllokimit të godinës, studentët kanë ndërprerë përkohësisht veprimtarinë e universitetit, ndërsa ushtruan presion ndaj drejtuesve të tij, me qëllim plotësimin e kërkesave të tyre. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.