Hapen vendvotimet në Serbi: votimi i përsëritur në 53 vendvotime, të drejtë vote kanë 24.438 qytetarë
Në Serbi filloi të dielën në mëngjes votimi i përsëritur i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në 53 vendvotime, të cilat u hapën në orën 07:00, siç njofton INpress, duke iu referuar Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK). Të drejtë vote kanë gjithsej 24.438 qytetarë të regjistruar në këto vendvotime, ndërsa qendrat mbyllen në orën 20:00.
Votimi përsëritet në 31 vendvotime, ku komisionet lokale zgjedhore konstatuan se rezultatet e votimit të 25 tetorit nuk mund të përcaktoheshin, si dhe në 22 vendvotime ku votimi u anulua për shkak të parregullsive. Rivotimi zhvillohet në 24 qytete e komuna të vendit — mes tyre Aleksinac, Baçka Topola, Koceljeva, Majdanpek, Zemun, Krushevc, Loznica, Novi Pazar, Pozharevc dhe Subotica — ndërsa vetëm në komunën Vladiçin Han, në rrethin e Pçinjës, votimi përsëritet në shtatë vendvotime.
Gjatë gjithë ditës së votimit në këto vendvotime vlen heshtja zgjedhore, e cila zgjat deri në mbylljen e tyre në orën 20:00. Sipas rezultateve paraprake të RIK-ut, mbi bazën e 8.338 vendvotimeve të përpunuara nga 8.392 gjithsej, Lista Studentore ka fituar 53,04 për qind të votave, ndërsa lista “Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar” 38,97 për qind. Pas përpunimit të materialit nga 53 vendvotimet e sotme, RIK-u do të krijojë kushtet për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.