HAPËSIRË – Eklipsi i 12 gushtit, paralajmërimi i mjekëve: Syzet e diellit nuk mjaftojnë për ta parë
ROMË, 10 gusht /ATSH-ANSA/ – Mënyra e vetme e sigurt për të parë një eklips të pjesshëm diellor është përdorimi i syzeve speciale për eklips, të certifikuara sipas standardit ISO 12312-2. Ato duhet të vendosen para se të ngrini sytë drejt Diellit dhe të mbahen gjatë gjithë kohës së vëzhgimit.
Ky është rekomandimi i Ministrisë së Shëndetësisë së Italisë, i përcjellë edhe nga Fondacioni Bietti IRCCS në Romë, instituti i vetëm italian i specializuar ekskluzivisht në oftalmologji, në prag të fenomenit astronomik që pritet të ndodhë pasditen e vonë të 12 gushtit.
“Gjatë një eklipsi, edhe pse Hëna vendoset mes Diellit dhe Tokës dhe krijon një zonë hije mbi Tokë, fuqia e rrezeve diellore nuk zvogëlohet”, shpjegon drejtoresha shkencore e IRCCS Bietti, Monica Varano.
Ekspozimi i syve ndaj Diellit pa mbrojtjen e duhur gjatë një eklipsi diellor mund të shkaktojë ‘verbëri nga eklipsi’ ose djegie të retinës, të njohura si retinopati diellore ose makulopati fototraumatike.
Dëmtimi mund të jetë i përkohshëm ose i përhershëm dhe zakonisht nuk shkakton dhimbje. Për këtë arsye, problemet mund të vihen re vetëm pas disa orësh ose edhe disa ditësh nga vëzhgimi i eklipsit.
Për mbrojtjen e syve, Varano thekson se nuk mjaftojnë syzet e zakonshme të diellit dhe nuk duhet të përdoren xhama të nxirë, filma radiografikë apo filtra të improvizuar.
Mënyra e vetme e sigurt janë syzet speciale për eklips të certifikuara. Çdo zgjidhje tjetër nuk ofron mbrojtjen e nevojshme.
Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet fëmijëve, të rinjve, të moshuarve dhe personave që kanë probleme ose sëmundje të syve.
Ekspertja shton se, nëse gjatë orëve ose ditëve pas eklipsit shfaqen çrregullime të shikimit, edhe nëse janë të lehta, duhet të konsultoheni me një mjek okulist.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.