HAPËSIRË – Planeti Feniks një botë e krijuar nga hiri i një ylli
– Astronomët mund të kenë zbuluar një nga planetët më të pazakontë të njohur deri më tani, një botë që mund të jetë formuar nga mbetjet e një ylli që përfundoi jetën e tij dhe u shndërrua në një xhuxh të bardhë, sipas “The Telegraph”.
Këta planetë hipotetikë quhen planetë të gjeneratës së dytë, sepse mendohet se formohen nga materiali i mbetur pas vdekjes së yllit, ndryshe nga planetët e zakonshëm, të cilët krijohen nga disku i gazit dhe pluhurit që rrethon një yll të ri.
Studiuesit, të udhëhequr nga Jamie Williams i Universitetit të Warwick-ut, analizuan një xhuxh të bardhë të quajtur “HS 0209+0832”.
Në materialin që ky objekt yjor po tërheq drejt vetes, ata zbuluan një përbërje kimike të pazakontë, veçanërisht përqendrime të larta të niobiumit, një element që mund të krijohet gjatë fazave të fundit të evolucionit të yjeve.
Kjo përbërje mund të jetë një tregues se materiali vjen nga një planet i formuar pas vdekjes së yllit.
Një tjetër e dhënë erdhi nga teleskopi hapësinor “TESS” i NASA-s, i cili zbuloi një sinjal të zbehtë që përsëritej çdo 4,4 ditë.
Studiuesit sugjerojnë se sinjali mund të shkaktohet nga një planet me madhësi të ngjashme me Jupiterin, që rrotullohet shumë pranë xhuxhit të bardhë.
Rrezatimi intensiv i këtij ylli mund të jetë duke avulluar atmosferën e planetit, ndërsa materiali i shkëputur prej tij bie mbi yll dhe krijon gjurmët kimike të vërejtura nga astronomët.
Nëse konfirmohet, ky do të ishte rasti i parë i njohur i një planeti të gjeneratës së dytë rreth një xhuxhi të bardhë.
Mundësia e planetëve të formuar pas vdekjes së yjeve është shqyrtuar edhe më parë, veçanërisht në sistemet me pulsarë, por xhuxhët e bardhë janë shumë më të zakonshëm.
Zbulimi mund t’u japë astronomëve një metodë të re kërkimi: analizimin e gjurmëve të niobiumit dhe elementeve të tjera në atmosferat e xhuxhëve të bardhë për të identifikuar sisteme të ngjashme.
Ky studim mund të ndihmojë gjithashtu në kërkimin e botëve të banueshme.
Disa xhuxhë të bardhë mund të kenë planetë në distanca ku temperaturat lejojnë, në kushte të përshtatshme, ekzistencën e ujit të lëngshëm.
Kuptimi i mënyrës se si planetët formohen ose mbijetojnë rreth këtyre yjeve mund të ndihmojë në vlerësimin e mundësisë që ata të ofrojnë kushte të përshtatshme për jetë.
Megjithatë, objekti i studiuar konsiderohet ende kandidat për planet, ndaj nevojiten vëzhgime të tjera për të konfirmuar natyrën dhe origjinën e tij.
Ideja është vërtet mahnitëse, një yll përfundon jetën, shndërrohet në një xhuxh të bardhë dhe lë pas materialin nga i cili mund të formohet një planet i ri.
Më pas, ky planet mund të humbasë gradualisht atmosferën e tij, duke ushqyer me material yllin që i dha mundësinë të lindte.
Pikërisht kjo histori e mundshme e rilindjes kozmike e bën objektin të krahasohet me një feniks që ngrihet nga hiri i yllit të vet. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.