Hapet mensa sociale në Laprakë, Veliaj: Një vakt të ngrohtë për të gjithë
Personat në pamundësi ekonomike dhe me aftësi të kufizuara të Laprakës dhe Kodër-Kamzës tashmë kanë një ambient ku mund të marrin një vakt ushqim dhe shërbime të tjera sociale. Bashkia e Tiranës përuroi sot riparimin e ambienteve si dhe riaktivizimin e disa shërbimeve të reja në mensën sociale “Shtëpia e Përbashkët” në Laprakë, e cila ofron ushqim për 100 persona, ndërkohë që 300 persona të tjerë do kenë mundësi të marrin shërbime psiko-sociale.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me disa të rinj vullnetarë, u shërbeu drekën e parë frekuentuesve të kësaj qendre, ndërsa vlerësoi se qyteti, përveç investimeve në punët publike, ka nevojë edhe për përkujdesje sociale.
“Ajo që na dallon nga qytetet e tjera nuk është asfalti, ndërtimet apo infrastruktura, por fakti se ne bëjmë për njëri- tjetrin, fakti se rrëzohemi dhe ngrihemi bashkë. Falënderoj të gjithë ata që shërbejnë me shumë dinjitet, u jam shumë mirënjohës dhe besoj se qytetarët që jetojnë në zonën e Laprakës dhe Kodër Kamzës e ndjejnë dorën e bashkisë dhe të qytetit, si një qytet që beson te solidariteti”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
“Në Tiranë ka shumë halle dhe secili prej nesh është i papërgatitur për mënyrën se si i shkon jeta, megjithatë vendimi ynë është që në qytetin e Tiranës, pavarësisht vështirësive e halleve, pengesave, asnjë qytetar që është në nevojë të mos e kalojë ditën pa pasur një vakt të ngrohtë. Kjo qendër gjithashtu, ofron një mundësi për t’u ushqyer, për të kaluar pak kohë në komunitet, për të siguruar minimumin e dinjitetit njerëzor, pavarësisht vështirësive që mund të jetë duke kaluar secili prej nesh që në një moment të caktuar”, tha Veliaj.
Veliaj shtoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë të ngrejë rrjetin e mensave sociale në të gjitha lagjet ku ky shërbim është i nevojshëm.
“Do të vazhdojmë me ngritjen e mensave sociale edhe në disa zona të tjera të Tiranës, për t’u siguruar se në një qytet solidar askush nuk gdhihet ose ngryset pa një vakt të ngrohtë. Ndaj më vjen mirë që kjo nismë është përkrahur edhe nga biznesi”, shtoi Veliaj. Gjithashtu, ai shtoi se duke filluar nga muaji prill bashkia i ka kërkuar të gjitha supermarketeve të Tiranës që të mos i hedhin ushqimet që janë në prag skadence, por t’i sjellin ato në mensat e bashkisë për t’i shpërndarë më pas për njerëzit në nevojë.
Përveç mensës sociale, kjo qendër është e vetmja në Tiranë që ka sallë fizioterapie. Qendra ka një staf prej 15 vetash, duke përfshirë psikologë, punonjës socialë, fizioterapist, terapist, operator social dhe staf mbështetës, duke ofruar terapi zhvillimi, këshillim dhe asistence sociale.