FOKUS – BND: Rusia po përshkallëzon luftën e fshehtë kundër Gjermanisë
BERLIN, 5 tetor /ATSH-AFP/- Kreu i Shërbimit Federal Gjerman të Zbulimit të Jashtëm (BND), Martin Jager, akuzoi sot Rusinë se po intensifikon të ashtuquajturën “luftë e fshehtë” kundër Gjermanisë, duke rritur edhe rrezikun e përfshirjes në një konflikt të armatosur.
“Gjermania rrezikon të tërhiqet në një konflikt të dhunshëm me Rusinë“, deklaroi Jager para deputetëve të komisionit parlamentar që mbikëqyr shërbimet e zbulimit.
Sipas tij, Gjermania, si anëtare e NATO-s dhe një nga mbështetësit kryesorë të Ukrainës, është bërë një objektiv i rëndësishëm i veprimeve armiqësore ruse.
Këto përfshijnë fushata dezinformimi, spiunazh, sabotazh dhe madje tentativa për atentate.
“Asnjë vend tjetër aktualisht nuk përbën një kërcënim kaq të drejtpërdrejtë, gjithëpërfshirës dhe konkret për Gjermaninë“, tha kreu i BND-së.
Jager përmendi si shembull tentativën për një sulm me dron ndaj një avioni transportues ukrainas në aeroportin e Leipzigut në gusht.
Për këtë incident, agjentët rusë konsiderohen ndër të dyshuarit kryesorë.
Sipas tij, ky është vetëm një nga rastet që tregojnë për intensifikimin e aktiviteteve ruse kundër Gjermanisë.
Megjithatë, BND-ja nuk ka gjetur prova se Rusia po përgatit aktualisht një sulm të gjerë ushtarak ndaj NATO-s.
Shërbimi gjerman e konsideron të mundshme, veçanërisht në vendet baltike, zhvillimin e aktiviteteve ushtarake ruse me intensitet të ulët.
Këto mund të përfshijnë ndërhyrje të kufizuara dhe operacione të vogla të synuara, të ngjashme me përdorimin e ushtarëve pa shenja identifikuese gjatë marrjes së Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Sipas Jager, një objektiv i mundshëm i Moskës do të ishte testimi i NATO-s dhe vlerësimi i mënyrës se si aleanca do të reagonte ndaj inkursioneve të tilla.
Kjo do t’i mundësonte Rusisë të vlerësonte kufijtë e reagimit të vendeve anëtare pa ndërmarrë domosdoshmërisht një sulm të drejtpërdrejtë dhe të gjerë.
Në këtë kontekst, shërbimet e zbulimit kanë një rol të rëndësishëm në përballjen me “luftën e fshehtë“.
Jager theksoi nevojën për një reformë të gjerë të shërbimeve gjermane të zbulimit, e cila pritet të zhvillohet këtë vit dhe që synon t’u mundësojë agjencive jo vetëm mbledhjen e informacionit, por edhe veprime më aktive për parandalimin dhe kundërpërgjigjen ndaj kërcënimeve.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, gjatë vizitës së tij dje në Kiev, premtoi se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, duke e konsideruar atë edhe një mënyrë për të mbrojtur sigurinë e Evropës.
Ndërkohë, partia e ekstremit të djathtë AfD, e cila kërkon ndërprerjen e ndihmës për Kievin dhe është kritike ndaj politikës gjermane ndaj Rusisë, po fiton mbështetje në Gjermani.
Kreu i BND-së paralajmëroi gjithashtu se do të ishte ‘një iluzion i madh“ të besohej se përballja me Rusinë do të përfundonte bashkë me luftën në Ukrainë.
Sipas tij, kërcënimi rus ndaj Evropës mund të vazhdojë edhe pas përfundimit të luftimeve, përmes operacioneve të fshehta, spiunazhit, dezinformimit, sabotazhit dhe presionit ushtarak./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.