Harvard, kurs që vendos leximin në qendër të mësimit
Në një kohë kur inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si mësojnë dhe punojnë studentët, Universiteti i Harvardit po tërheq vëmendjen me një kurs që vendos në qendër leximin, reflektimin dhe mendimin e pavarur.
Sipas një postimi të publikuar nga “Fortune Italia”, bëhet fjalë për një nga kurset më kërkuese të universitetit, ku studentët duhet të lexojnë një libër të plotë çdo javë, pa përdorur smartphone, kompjuter apo mjete të inteligjencës artificiale.
Programi synon të nxisë aftësinë për të menduar në mënyrë kritike dhe për të formuar gjykime personale, pa u mbështetur te teknologjia apo zgjidhjet e gatshme.
Lista e leximeve përfshin autorë dhe filozofë të periudhave të ndryshme, nga Platoni te shkrimtarja angleze Jane Austen, duke i ftuar studentët të përballen drejtpërdrejt me tekstet dhe idetë e tyre.
Kursi nuk ofron rrugë të shkurtra për të siguruar nota të mira, por kërkon angazhim të vazhdueshëm, lexim të thelluar dhe diskutim.
Interesi për t’u regjistruar në këtë program është rritur, ndërsa ai vjen në një moment kur universitetet në mbarë botën po përballen me sfidën e integrimit të inteligjencës artificiale në arsim dhe me pyetjen se si të ruhet aftësia e studentëve për të menduar në mënyrë të pavarur.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.