Hashim Thaçi – nuk do të shkojë në Beograd
Këshilli Rinor për arsim me seli në Beograd, anuloi planet për një takim më 24 prill në Beograd ku ishte ftuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Vendimi pasoi reagimet e ashpra që nxiti në Serbi, gatishmëria e zotit Thaci që të marrë pjesë në atë takim.
Organizatorët thanë se që nga publikimi i agjendës së takimit janë përballur me “trysni dhe kërcënime të fuqishme politike” të organizatave dhe individëve me qëllim që të mos ndodhë takimi.
“E kuptojmë që është herët për takime të llojit të tillë dhe ne vjen keq që është humbur rasti për të dërguar një mesazh për nevojën që vendet në rajon të bashkëpunojnë fuqishëm në rrugën e integrimeve evropiane”, thuhet në një njoftim të organizatës.
Ata thanë se “të gjitha kërcënimet i marrim shumë seriozisht dhe presim nga organet përgjegjëse do të veprojnë në pajtim me kallëzimet penale”.
Organizata të ndryshme ekstremiste serbe kërcënuan organizatorin duke e akuzuar atë për punë “kundër interesit të Serbisë”, dhe për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe.
Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, paralajmëroi javën që lamë pas se do të qëndrojë në Beograd për të marrë pjesë në konferencën mbi integrimin e Ballkanit perëndimorë në Bashkimin Evropian, të organizuar nga Këshilli rinor për arsim, një organizatë joqeveritare në Beograd.
Zyrtarë të ministrisë së jashtme të Kosovës thanë se kanë bërë kërkesë për këtë vizitë nëpërmjet zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, por nuk kanë marrë përgjigje zyrtare,. Ndërsa mediet serbe thanë se atij i është kumtuar zyrtarisht se nuk mund të marrë pjesë në takim.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë të premten se për vizitën e mundshme të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Serbi, duhet të respektohen procedurat që parashihen me marrëveshjet e arritura në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, tha të shtunën se askush nga Brukseli nuk ka ndërhyre për të një vizitë të mundshme të zotit Thaçi.
“Nëse ai vendosë dhe nëse ai vjen me ta, në vendin tonë ka ligje”, tha ai duke nënvizuar se “dënimi ndaj zotit Thaçi nuk është anuluar dhe meqë kjo nuk ka ndodhur, Serbia do të sillet në pajtim me ligjin”.
Në një letër të shefit të zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, Dejan Paviçeviç, të transmetuar nga mediet serbe, thuhet se “duke marrë në konsideratë sistemin juridik të Republikës së Serbisë dhe faktin se vendimi për dënimin e zotit Thaçi është në fuqi të plotë juridike, detyra ime është që të ju informoj se zoti Thaçi në përputhje me rrethanat do të ndalohet në kontaktin e parë me ndonjë autoritet të zbatimit të ligjit të Republikës së Serbisë dhe do ta sjellin para gjykatës kompetente”.
Hashim Thaçi, ish drejtor politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte dënuar në mungesë nga autoritetet serbe në fund të viteve të 90-ta dhe ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti.
Ekzistimi i këtij urdhri është përmendur në të gjitha reagimet zyrtare të ditëve të fundit në Serbi.