Hetimet për kopshtin “Diren”, Prokuroria dërgon për gjykim Anjeza Hushan
Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim të pandehurën Anjeza Husha, e cila akuzohet për veprën penale të “Keqtrajtimit të të miturve”, 3 herë, si dhe për “Fshehje të të ardhurave”.
E pandehura, e cila është hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg” akuzohet se, në cilësinë e drejtueses së një kopshti të palicencuar, ka keqtrajtuar tre fëmijë që qëndronin në ambientet e administruara prej saj.
Sipas Prokurorisë, Husha jo vetëm nuk ka pasur licencën përkatëse dhe nuk është regjistruar në organet tatimore, por edhe ka keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht fëmijët që frekuentonin kopështin në fjalë.
Për shkak të veprimeve të saj të dhunës, fëmijëve R.A., A.K. dhe E.K. i janë shkaktuar dëmtime fizike. Në të treja rastet, e pandehura në mënyrë sistematike ju ka shkulur veshin, flokët, pickuar, gjuajtur në gjithë trupin, bërtitur, fyer dhe në një rast edhe mbuluar kokën me çarçaf këtyre fëmijëve.
Në të treja rastet, prindërit e fëmijëve kanë konstatuar shenja dhune dhe konkretisht të nxira në kofshë dhe në shpinë, çka i ka detyruar të largojnë fëmijët nga ky kopësht. Arsyetimet e Hushës për shenjat kanë qenë se “ata janë zënë me fëmijë të tjerë”.