Himara e gatshme të presë vizitorët e parë të fillim sezonit
Bregdeti i Himarës është një nga më të lakmuarit në sezonin verorë, jo vetëm për bukurinë e tij natyrore, për peisazhet e bukura, plazhe të shumta dhe të qetë, por edhe për pastërtinë e bregut detar dhe gastronomisë tepër pikante me prodhime deti dhe gatim tradicionale.
Bashkia e Himarës, ka marrë të gjitha masat që plazhet të jenë gati për sezonin e ri. Këtë e konfirmoi edhe Kryetari i Bashkisë Goro, në fundjavë në çeljen e sezonit veror turistik.
“Plazhet janë të kompletuara, të pastruara, si dhe policia kufitare do të jetë prezente për sigurinë e pushuesve” u shpreh ai.
Aktualisht, turistët e parë ditorë apo dhe kalimtarë që udhëtojnë gjatë bregut, i shikon në brigjet e Himarës, Dhërmiut, Jalës, Qeparoit apo Borshit, duke shijuar jo vetëm bukuritë, por dhe gastronominë e zonës.
Krahas Himarës, përgatitja për sezonin e ri është bërë dhe në fshatrat e kësaj bashkie.
Po kështu, drejtuesit e Bashkisë, janë kujdesur edhe për objektet e trashgimisë kulturore dhe ato të kultit që të jenë të gatshme të presin vizitorët.
“Ne duam që çdo gjë të jetë në lartësinë e duhur dhe çdo gjë të jetë pjesë e kulturës sonë që turistët krahas natyrës, të gjejnë dhe historinë tonë” thekson Goro.