Hiqet taksa nga nafta, por jo nga xhepat e shoferëve! Ministri Malaj shpjegon skemën e re
Ministri i Financave, Petrit Malaj thotë se heqja e taksës së qarkullimit nga nafta, u bë pasi kishte një kërkesë të vazhdueshme, që kjo taksë të kalonte tek automjetet.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Malaj u shpreh se nga transferimi i kësaj takse, tek taksat e automjetit, buxheti i shtetit do ketë 50 milionë euro më pak të ardhura.
Lidhur me makinat elektrike, Malaj nënvizoi se edhe këto automjete do duhet të paguajnë taksë për amortizimin e infrastrukturës rrugore.
“Ka pasur një kërkesë të vazhdueshme që të bëhej transferimi i taksës së qarkullimit nga nafta, të kalonte tek taksat e mjeteve, siç ka qenë më përpara. Ka pasur vlerësim shumë të kujdesshëm nga Ministria e Financave dhe nga ana e qeverisë. Kjo është një taksë e konsiderueshme, edhe në aspektin edhe të vlerës që përbën. Flasim për 350 milionë euro në vit, janë para që shkojnë për infrastrukturën, ndërtimin e rrugëve, mirëmbajtjen e rrugëve. Edhe pse është vlerë e konsiderueshme, përsëri nuk është e mjaftueshme për investimet që janë duke u bërë. Transferimi i kësaj shume do duhet të bëhej tek pjesa e automjeteve, është bërë sipas një formule që është vlerësuar edhe me DPSHTRR dhe ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ne nuk e kemi transferuar të gjithë kostot tek automjetet. Vetëm nga kjo politikë, buxheti i shtetit ka minus 50 milionë euro. Niveli i taksës së automjeteve të ishte në nivelet që është edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Flota e mjeteve elektrike në 5 vitet e fundit është dyfishuar, është mëse e drejtë që të paguajnë. Në këtë këndvështrim, është racionale që edhe ata të paguajnë një taksë qarkullimi”, theksoi ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.