Rama nga Parisi: Projekti i Jared Kushner nxiti zemërimin e qytetarëve, dhuna e papranueshme
Kryeministri Edi Rama komentoi protestat e zhvilluara në Shqipëri, gjatë një diskutimi në Forumin e Paqes në Paris, duke e cilësuar të papranueshme dhunën e përdorur nga protestuesit.
I pyetur për ngjashmëritë mes protestave në Shqipëri, Itali dhe Francë, Rama u shpreh se situata në vendin tonë kishte veçoritë e saj. Ai bëri një dallim protestave të fillimqershorit, ku sipas tij morën pjesë qytetarë nga fusha të ndryshme të jetës, dhe protestave të mëvonshme, të cilat përfunduan në akte dhune.
Kreu i qeverisë theksoi se projekti i lidhur me Jared Kushner shërbeu si shkak për mobilizimin dhe pakënaqësinë e qytetarëve në fillim të qershorit.
“Ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq që nxiti zemërimin e ‘demit’ në qytetin tonë..Do të thosha që në rastin tonë protestat kanë veçantitë e tyre dhe në të njëjtën kohë do të bëja një dallim mes asaj që ka ndodhur në fillim, pra në manifestimet e fillimqershorit, ku pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës dhe shprehnin shqetësime, të cilat erdhën si rrjedhojë e projektit të famshëm që lidhet me Jared Kushner”, tha Rama.
Sipas Ramës, dhuna që pasoi protestat e zhvilluara në muajin tetor është e papranueshme dhe është rrjedhojë e një sërë faktorësh që nga ekstremizmi fetar deri tek ai ideologjik i Antifa.
“Është një situatë komplekse që do ta shihja si një përplasje mes botës reale dhe asaj të medias sociale ku shumë të rinj marrin informacionin dhe dezinformacionin. Kurdo e kudo ka një protestë ka arsye mbi të cilat duhet reflektuar në përpjekje për të gjetur çfarë ka në sfond dhe sfondi i kësaj proteste ka një mori gjërash që janë si një tenxhere ku zien gjithçka, që nga shqetësimi për mjedisit te gjepura antisemite të ushqyera nga armiq të vendit tonë dhe parti të opozitës që fshihen pas të rinjve të radikalizuar me iluzionet e Antifas. Është shumë komplekse që nuk duhet trajtuar në një mënyrë por në disa mënyra, të krijosh në dialog dhe që janë pasqyruar në buxhetin e ri me masa për të lehtësuar kostot e jetesës”, tha Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.