HISTORI – J. Paul Getty, miliarderi i naftës që hyri në “Guiness” si njeriu më i pasur në botë
– Miliarderi amerikan i naftës J. Paul Getty u bë një nga figurat më të pasura dhe më të njohura të shekullit XX, pasi në vitin 1966 u rendit si, njeriu më i pasur në botë, sipas BBC.
Getty e nisi pasurinë e tij nga industria e naftës. Ai fitoi milionin e parë kur ishte vetëm 24 vjeç, kur në tokën e tij në Oklahoma u zbulua naftë.
Më pas, ai ndërtoi një perandori të madhe biznesi, që u vlerësua në miliarda dollarë dhe e shndërroi në një nga figurat më të fuqishme të industrisë së energjisë.
Në vitin 1960, ai organizoi një festë të madhe në rezidencën e tij historike “Sutton Place” në Surrey të Anglisë, ku morën pjesë mbi 2 000 të ftuar nga elita shoqërore, aristokracia dhe bota e biznesit.
Festa u bë lajm edhe për një incident kur një fotograf u hodh në pishinë nga sigurimi i rezidencës.
Getty jetoi për vite të tëra në këtë rezidencë të fortifikuar, nga ku drejtonte biznesin e tij global.
Shtëpia ishte e pajisur me sisteme sigurie në çdo dhomë, ndërsa në gjithë pronën ishin vendosur tabela “Ndalohet hyrja” dhe roje të armatosura.
Ai kishte edhe qen roje dhe madje një luan i quajtur Nero.
Getty hyri në “Librin e Rekordeve Guinness” si njeriu më i pasur në botë në vitin 1966.
Deri në vdekjen e tij, pasuria e tij vlerësohej rreth 4 miliardë dollarë (rreth 23,5 miliardë dollarë sot), dhe ai fitonte më shumë çdo ditë sesa një njeri mesatar që fiton gjatë gjithë jetës.
Një nga thëniet e tij për suksesin ishte: “Zgjohu herët, puno fort dhe gjej naftë.”
Në një seri artikujsh për revistën “Playboy”, që më vonë u botuan si libër me titull “Si të bëheni të pasur”, Getty theksonte “rëndësinë e të pasurit një këndvështrim të pavarur dhe të mos ndikohesh nga ajo që thonë të tjerët”.
Pavarësisht pasurisë së jashtëzakonshme, ai ishte i njohur për kursimin ekstrem.
Për të shmangur faturat e larta të telefonit, vendosi telefona me pagesë në shtëpi për mysafirët.
Madje, sipas dëshmive, priste orët me çmime më të ulëta në restorante, për të kursyer.
Në vitin 1973, familja e tij u trondit nga rrëmbimi i nipit në Itali.
Rrëmbyesit kërkuan 16 milionë dollarë shpërblim, por Getty fillimisht refuzoi të paguante, duke deklaruar se kishte shumë nipër dhe nuk mund të dorëzohej ndaj kërkesave të tilla.
Më pas, ai pagoi vetëm një pjesë e shumës dhe nipi u lirua pas disa muajsh robërie.
Getty u bë i famshëm edhe për deklaratat e tij të sinqerta mbi pasurinë.
Ai shpesh thoshte se nuk e dinte saktësisht pse kishte pasur kaq shumë sukses dhe se ai vetë nuk ndihej më i aftë se të tjerët.
Sipas tij, suksesi ishte rezultat i shumë faktorëve dhe jo i një “sekreti të vetëm”.
Në intervista, ai pranoi se përgjegjësitë e mëdha financiare nuk sillnin domosdoshmërisht lumturi, duke theksuar se shpesh ndjihej më i qetë në momente të thjeshta, larg biznesit, pavarësisht se kontrollonte një nga perandoritë më të mëdha të naftës në botë.
J. Paul Getty vdiq në vitin 1976 në moshën 83-vjeçare.
/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.