EuropaRajoni

Hollande në Athinë, takim me Tsipras; pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve

Presidenti francez Francois Hollande mbërrin në kryqeytetin grek pasditen e së enjtes për një vizitë zyrtare dyditore që konsiderohet tepër e rëndësishme për Athinën zyrtare në aspektin politik dhe ekonomik.

Hollande është i ftuar nga presidenti grek Prokopis Pavlopoulos, ndërsa do të kryejë takime me kryeministrin Aleksis Tsipras dhe udhëheqës të tjerë.

Me interes të madh pritet fjalimi i tij në Parlament mesditën e së premtes, ku midis të tjerash do të theksojë “hartën e rrugës” që duhet të ndjekë Greqia dhe çështjen e rikapitalizimit të bankave.

Pala greke pret që Hollande të përsërisë mbështetjen e Parisit për çështjen e reduktimit të borxhit të Greqisë, ashtu siç kishte deklaruar edhe në Parlamentin Europian, si dhe të shprehë përsëri propozimet e tij për një Eurozonë më demokratike.

Qeveria greke synon gjithashtu nga kjo vizitë të paraqesë lidhjen e veçantë që ka Athina me Parisin, i cili e mori në mbrojtje korrikun e kaluar pas qëndrimeve të ashpra të Berlinit dhe bëri të mundur nënshkrimin e memorandumit të tretë të ndihmës, duke shmangur daljen e Greqisë nga Eurozona.

Hollande vjen në Athinë i shoqëruar nga disa ministra si dhe nga një grup i madh investitorësh francezë për të dhënë mesazhin se Greqia nuk është vetëm një vend në krizë, por që ofron edhe mundësi investimi e zhvillimi.

Është tashmë i njohur interesi i Parisit për sektorin e hekurudhave të vendit. Gjithashtu, Franca kërkon t’i japë ndihmë teknike Athinës në tre sektorë: atë të tatim-taksave, me edukimin e personelit dhe dixhitalizimin; në funksionimin e administratës; dhe në shfrytëzimin e pasurisë shtetërore.

Gjithashtu do të kërkohet përforcimi i bashkëpunimit të univesiteteve, sidomos përsa i përket ciklit të fundit të studimeve pasuniversitare. Hollande mbërrin në Athinë në 16 e 50, me orën lokale dhe do të pritet personalisht nga Tsipras.

Të dy liderët, të shoqëruar edhe nga ministri i Mbrojtjes, do të vendosin kurorë në monumentin e Ushtarit të Panjohur. Më vonë, ata pritet të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh të përbashkëta dhe të premten do të mbajnë një konferencë shtypi.

Hollande do pritet nga presidenti grek Prokopis Pavlopoulos, i cili do t’i japë atij dekoratën më të lartë të vendit dhe do të shtrojë një darkë në nder të tij.

Mesditën e së premtes, presdienti francez do të mbajë fjalimin në Parlamentin grek. Me rastin e vizitës së tij, mbi 2500 policë janë në gatishmëri në të gjithë Athinen dhe shumë rrugë të kryeqytetit do të jenë të bllokuara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button