Politika

Homazhe për “Dëshmorin e Atdheut”, Rama: Klodian Tanushi u kthye si hero

Për nder të major Klodian Tanushit, i cili ra në krye të detyrës gjatë misionit të Forcave të Armatosura në Letoni, u zhvilluan sot homazhe në Pallatin e Kongreseve.

Në një ceremoni të veçantë, familjarë, të afërm, miq, kolegë dhe krerët më të lartë të shtetit nderuan kujtimin e tij duke shprehur edhe mbështetje ndaj familjes së Dëshmorit të Atdheut, Klodian Tanushi.

“Për herë të dytë në një hark shumë të shkurtër kohe, flamuri ynë kombëtar mbështjell trupin e një tjetër Dëshmori të Atdheut, majorit Klodian Tanushi”, theksoi Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e organizuar në nderim të majorit Klodian Tanushi, “Dëshmor i Ardheut”, i rënë në krye të detyrës gjatë misionit në Letoni.

“Rikthehemi sot në një ceremoni funebre si kjo, për t’i dhënë lamtumirën një ushtaraku, prind i tre fëmijëve, djalë i prindërve dhe një babai prej të cilit trashëgoi sensin e misionit në FA të Republikës, dhe një bashkëshorti që ndahet krejt parakohe nga gruaja dhe familja e tij”, tha Kryeministri.

Është përsëri shumë e vështirë, vijoi ai, “për të gjetur fjalë që të mbushin zbrazëtinë e këtij momenti për të gjithë ne, por dhe zbrazëtinë që do të mbetet aty, në zemrën e fëmijëve, të gruas, prindërve, të afërmve dhe gjithë shokëve”.

“Klodiani ishte me mision paqeruajtës dhe jetëshpëtues dhe dha jetën e tij për të mos lejuar jetë të tjera të humbisnin. Në një libër të shenjtë, një vetëflijim i tillë për të shpëtuar jetët që do të vijnë quhet vetëflijim për miqtë e panjohur. Ky është edhe thelbi i të gjitha misioneve paqeruajtëse dhe jetëshpëtuese të Forcave tona të Armatosura, si pjesë e aleancës së madhe të popujve dhe vendeve të NATO-s”, tha Rama.

Sipas tij, “është më e lehtë të japësh jetën për njerëzit e dashur në çaste ekstreme, është më e lehtë të merresh nga vdekja kur mësyn armikun sy më sy dhe është më e lehtë të këmbesh gëzimin e jetës së tashme me ikjen në jetën e amshuar, për të lënë të jetojë një njeri i mirë”.

Por është tejet e vështirë dhe besoj edhe sublime, tha Kryeministri, të pranosh që jeta jote mund të ndalojë në çdo çast për të shpëtuar jetë të panjohurish, të pranosh të korresh nga vdekja në një vend që nuk është atdheu yt”.

“Duke sheshuar plagën e hapur të minave antinjeri, ti ke pranuar dhe ke dashur të mbjellësh farën e mirë që ushqen jetën. Ky është rasti dhe ky është momenti për t’u përpjekur ta themi atë që për shumëkënd sot mund të duket si e pakuptueshme. Pse një djalë, një prind, një burrë shqiptar duhet të kthehej pa jetë nga një tokë e panjohur? Pikërisht për këtë, sepse sot Shqipëria e shqiptarët dhe FA përmes tyre, janë pjesë e këtij misioni që ka si një vlerë të pakrahasueshme dhe të patjetërsueshme Aleanca Euroatlantike”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se “Klodiani i ngjiti shkallët e karrierës një nga një, si një anëtar i denjë i FA-së, njeri i përkushtuar, fisnik dhe tejet i respektuar, gjë që shpjegon përtej dhimbjes njerëzore edhe lotët e panatyrshme në fytyrën e Shefit të Shtabit ndërsa foli për të, apo zërin e mezi përmbajtur të Ministres së Mbrojtjes, e cila e ka njohur dhe personalisht”.

“Për shumë pak kohë, ai do të kthehej në atdhe dhe do të ishte pranë familjes. Do përkëdhelte fëmijët, do puthe dorën e nënës dhe do ishte në sytë e babait një arsye e gjallë krenarie. Por, është kthyer i mbështjellë me flamurin kuqezi, jo për të shkuar në shtëpi, por për t’u bashkuar në banesën e kombit, aty ku kombi ka mbledhur të gjithë ata që dhanë jetën për të”, tha Rama.

Duke njohur familjet e dy dëshmorëve, Rama tha se “nuk është e vështirë të kuptohet se dinjiteti dhe pasioni për t’i shërbyer atdheut në këtë vijë shumë të hollë mes jetës dhe vdekjes, është edhe trashëgim brezash, kultivim vlerash familjare dhe provë e asaj që themi ne shqiptarët: ‘gjaku nuk bëhet ujë’”.

“Jeta e Klodianit dhe Zarifes dhe qindra të tjerëve që shërbejnë në misione paqeruajtëse flet pikërisht për dinijitetin e gjakut që nuk bëhet ujë, për shembullin e krijuar ditë pas dite, deri në përfshirjen në këtë familje të madhe të FA-së, e cila është e përkushtuar për të mbrojtur bashkësinë e madhe të njerëzve të këtij vendi”, tha Rama.

Sipas tij, “ata na tregojnë se në fakt paqja gjithmonë ka një çmim, na tregojnë se bashkimi ka një vlerë dhe se në një kohë vendimtare për të ardhmen tonë dielli i shqiptarëve lind si gjithmonë nga perëndimi”.

“Një tjetër dëshmor nga radhët e FA-së do të shkojë sot tek Nëna Shqipëri dhe nuk është e pamundur përkundrazi është e natyrshme të bëhet lidhja mes atyre që janë simbol i një lufte heroike dhe vendimtare në 75-vjetorin e Çlirimit të vendit, dhe Zarifes apo Klodianit që u bashkohen në banesën e fundit, si pjesë e një histori të re që kërkon sakrifica të reja në një vend që i përket NATO-s”, tha Rama.

Të dyja palët, tha ai, “i bashkon ana e duhur e historisë”. “Dëshmorët e luftës janë dëshmorët e një përpjekje kombëtare në anën e duhur të historisë. Të ishe dje përballë nazizimin apo fashizmit ishte të ishe i gatshëm të jepje jetën duke qëndruar në anën e duhur të historisë. Të jesh sot në krah të SHBA-së, të të gjitha vendeve të tjera që janë pjesë e NATO-s do të thotë të jesh i gatshëm të japësh jetën duke qëndruar në anën e duhur të historisë”, tha Rama.

“Ky është një vend shumë i vogël, por përtej shifrave, kontributeve financiare apo njerëzore, të gjitha hapat e përbashkëta kanë një kontribut që nuk mund të matet në mënyrë sasiore dhe na bën të gjithëve tërësisht të barabartë, kontributi i gjakut. Çdo jetë e dhuruar në emër të vlerave dhe parimeve që e mbajnë lidhur si një forcë të pakonkurrueshme NATO-n, është një shëmbëlltyrë e barazisë së kontributeve dhe mundësi për të qenë të gjithë të barabartë në atë pikë ku çdo jetë vlen sa të gjitha jetët e marra së bashku”, shtoi ai.

Kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë sepse është falë dëshmorëve, atyre të së djeshmes dhe të së sotmes, që ne e kemi të pamundur mjegullimin e së ardhmes, pasi sakrifica e tyre na ndihmon edhe në momentet më të vështira ta dimë ku ndodhet dhe sa vlen ana e duhur e historisë.

Duke iu drejtuar fëmijëve të major Klodian Tanushit, Kryeministri Rama tha se: “një ditë kur ju të bëheni prindër do të keni kuptuar përfundimisht atë që babai juaj ka lënë sot shënim në zemrat tuaja se, asgjë më shumë në këtë jetë nuk vlen sa emri dhe kujtimi i mirë”.

Xhaçka: Major Tanushi ushtarak model

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në fjalën e lamturimrës theksoi se ” pak ditë më parë i dhamë lamtumirën e fundit nëntetares Zarife Hasanaj, për t’u prehur në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Fatkeqësisht, pak ditë më pas, dhimbja u shtua edhe më shumë. Ndarja nga jeta e kolegut tonë, major Klodian Tanushit, komandantit të kontingjentit shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni, bashkëshortit dhe prindit shembullor të tre fëmijëve është aq e rëndë dhe aq e trishtueshme, sa vështirë të gjesh fjalët e duhura për të qetësuar sadopak dhimbjen në zemrat e të gjithëve”.

“Edhe pse sot, nderimi ynë për Klodin është pa kufi, e dimë që nuk mund t’ia kthejmë atij të ardhmen, që u vra bashkë me të. Edhe pse sot, mirënjohja dhe krenaria për të është pa kufi, përsëri nuk mund të zbusin zemrën e bërë gur të familjarëve dhe sidomos të tre fëmijëve të tij”,- nënvizoi Xhaçka.

Ministrja u shpreh se në këtë dhimbje të përbashkët, jemi pranë familjes së major Tanushit, pranë babait, Basriut, nënës, Lumturijes, vëllait, Ergysit, bashkëshortes, Semihasë dhe pranë Serxhos, Klesios dhe Darlës, që humbën babain e tyre të dhimbsur e të përkushtuar, me premtimin se ata do të kenë të gjithë përkujdesjen tonë, sot e përherë që të rriten me ndjenjën e krenarisë për veprën e babait të tyre”.

“Është shumë e dhimbshme dhe e vështirë edhe për mua, që e kam njohur nga afër këtë ushtarak model dhe që shpresoja se do t’ia dilte mbanë në betejën e fortë që nisi me jetën; për veten e tij, për familjarët e të afërmit e tij, për të gjithë ju që po e nderoni sot këtu. Por ai nuk ia doli, duke na lënë një boshllëk të madh bashkë me dhimbjen për humbjen e pakthyeshme”-, theksoi Xhaçka.

Ministrja Xhaçka tha se “është e vështirë që këtë dhimbje ta përshkruash me fjalë, por nuk është e vështirë të gjesh fjalët për të shprehur përkushtimin, forcën, seriozitetin, profesionalizmin, trimërinë dhe shpirtin e sakrificës së ushtarakut model, major Klodian Tanushit, pasi jeta dhe vepra e tij flasin vetë”.

Klodiani , vijoi ajo, zgjodhi t’i shërbente Forcave të Armatosura dhe vendit në një nga sektorët më të vështirë të saj, në strukturën e grupit special të asgjësimit të municioneve, aty ku rreziku për jetën përgjon në çdo hap e në çdo sekondë.

“Zgjodhi të shërbente në këtë repart të vështirë, por me një mision shumë fisnik e human, për të shpëtuar jetë të tjera që rrezikohen nga mjetet shpërthyese. major Tanushi e përmbushi me nder këtë mision duke sakrifikuar edhe jetën e tij”, – u shpreh Xhaçka.

“Sot, ju prindër, vëllezër e motra, bashkëshorte e fëmijë të Klodit, jeni një familje dëshmori, që në breza do të krenohet me gjakun që dha për popullin e Shqipërisë nga gjaku juaj”, përfudnoi ajo.

Kollçaku: Tanushi, komandanti dhe ushtari që gjendej gjithmonë në krye

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku gjatë ceremonisë shtetërore në nderim të majorit Klodian Tanushi, theksoi se “për ditë të të tëra ju dhe ne u lutëm dhe mbajtëm frymën dhe me dridhje ne zemer shpresuam për Klodianin shprësuam për mrekullinë. Kurrë nuk donim ta shqiptonin por na ndodhi, trishtimi dhe hidhërimi na zuri përsipër”.

“Tani na duhet të përcjellim Klodianin, trondija është e pamaatë, por jeta na do të mbahemi e të qëndrojmë të fortë. Komandant sot një Forcë e Armatosur dhe çdo shqiptar për ty do të mbajë heshtje, do të qajë e mbajë zi siç e kanë thënë dhe kolegët e tu të NATO-s ne kemi humbur një nga tanët , një vëlla nën armë”, theksoi Kollçaku.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, u shpreh se “nuk i gjejmë dot fjalët për të shprehur dhimbjen, por gjejmë dhe kemi aq shumë për të thënë për punën, shërbimin, përkushtimin dhe angazhimin e major Tanushit”.

“I kudo ndodhur dhe i palodhur në situata nga më të rrezikshmet dhe të nxehta në vend dhe jashtë tij, kudo që e thirri detyra, kudo që e kërkonte nevoja. Kanë aq shumë për të thënë kolegët e tij shqiptarë dhe të aleancës të Klodit njeri, për profesionistin për komandantin. Ai ishte komandanti dhe ushtari që gjendej gjithmonë në krye, sic u gjend me kolegen e tij, ashtu i heshtur i bindur, pa zë pa fjalë e ankesa ai kreu çdo ditë detyrat e tj, shërbimin e tij për dinjitetin e vendit per ti dhënë zë dhe nder Shqipërisë”-, nënvizoi Kollçaku.

Kollçaku tha se “Ti Klodian i paharuar do të mbetesh frymëzimi dhe krenaria dhe nderi i FA, nderi i ketij vendi. Shqipëria dëgjon, shënon dhe nuk harron, vepra e dëshmorëve është amaneti jonë”.

“Ne të rriturit duhet të bëhemi të fortë dhe ti gjendemi pranë bashkëshortes së Klodianit ddhe tre fëmijëve gjithçka e bëjmë për fëmijët. Klodiani sakrifikoi për ta, për të ardhmen e tyre, ne të gjithë duhet të bëjmë gjithçka për ta, ne nuk do tu lemë vetëm”-, tha ai.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, u shpreh “komandant Klodi do të na marrë malli për ty, zërin tënd, për ngrohtësisë tënde fjalën tënd urdhrin tënd, komandën tënde, shërbimi yt do të mbetet i shenjtë, prandaj po të përcjellim në vendin e shenjtë pranë martirëve tek të pavdekshmit e kësaj toke”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button