Hoxha sulmon protestuesin, reagon Rama: Po ti, për llogari të kujt je futur në protestë?
Një postim i hoxhës Mustafa Terniqi, i cili sulmon një prej aktivistëve kryesorë në protestat që po zhvillohen në Tiranë prej më shumë se 20 ditësh, ka nxitur reagimin e kryeministrit Edi Rama.
“Ah, pra unë e paskam ditur diçka kur ia tregova shqiptarëve këtë “hero” të flamingove”, shkruan Rama në reagimin e tij në rrjetet sociale, duke iu referuar aktivistit Arben Kola. “Po pyetja ime tani është, po ti o hoxhë për llogari të kujt je futur në protestë se vendi yt është në xhami dhe për ty që duhet të drejtosh lutjet, Kurani thotë se mbi kurrizin tënd rëndon një përgjegjësi e madhe, për të paqtuar shpirtrat, për të predikuar të vërtetën dhe për të mos e fshehur dijen? Pra shkurt llafi, të mos luash kukamçefthi hoxhë, e të mos bësh punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve, se nuk ia ka borxh askujt ky vend ndezjen e zjarreve të dasive fetare, as mesveti, as me botën. Askush të mos dyshojë se do t’ia lejoja vetes të merresha kështu me këdo protestues që s’ka mizë në vesh kur flet, se po t’ia lejoja s’do respektoja rolin dhe detyrën time ndaj shqiptarëve. Po shqiptarët, në daç në punë, në daç në protestë e në daç në kafe, s’mund të lejojnë që këta të mizave instaluara në vesh, t’i nxisin keq e më keq kundër njëri-tjetrit…”.
Çfarë tha hoxha Mustafa Terniqi?
Në një postim në llogarinë e tij në Instagram të hënën, hoxha thotë se Arben Kola nuk e përfaqëson protestën qytetare dhe nuk ka si të flasë në emër të saj. “Ai nuk është organizator, sepse protesta është e të gjithëve. Për rrjedhojë, nuk mund të japë verdikte dhe as të flasë si drejtues apo shef i protestës. Së dyti, mënyra si flet dhe qasja që ndjek të krijojnë përshtypjen se ai vetë mund të jetë futur në protestë për llogari që i di vetëm ai, ose që mund të bëhen të qarta më vonë”, tha hoxha.
“Sidoqoftë, edhe në rastin më të mirë, ai mund të jetë thjesht një i paditur, i cili nga injoranca e tij (nëse nuk është i instrumentalizuar) mund të sjellë më shumë dëm sesa dobi, madje të nxisë përçarje dhe urrejtje. Një lëvizje qytetare nuk mund të orientohet nga njerëz të tillë. Injoranca i çoi njerëzit drejt Rinasit dhe po ajo injorancë mund të sjellë probleme të ndryshme edhe sot.
Kjo është protesta më e madhe, më paqësore dhe më e bukur në historinë e Shqipërisë, pikërisht sepse shqiptarët po tregojnë se duan ta ndërtojnë vetë të ardhmen e tyre, me përgjegjësi, qytetari dhe pa u bërë vegël e askujt”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.