Rama prezanton paketën kundër dhunës: Regjistër për dhunuesit, ndalim daljeje jashtë vendit dhe njoftim i autoriteteve të huaja
Kryeministri Edi Rama prezantoi instrumentin e katërt të paketës së re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, duke njoftuar krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e përfshirë në vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike.
Sipas Ramës, regjistri do të krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe do të administrohet nga Policia e Shtetit.
“Instrumenti i katërt është krijimi i regjistrit të posaçëm elektronik. Me vendim të Këshillit të Ministrave krijohet regjistri i personave të referuar ose personave që janë nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike. Regjistri administrohet nga Policia e Shtetit dhe përmban të dhënat e identifikimit të këtyre personave”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se mbi bazën e këtij regjistri, Policia Kufitare dhe ajo e Emigracionit do të ushtrojnë kompetencat që parashikon ligji për kontrollin e kufirit shtetëror, me qëllim pengimin e largimit nga Shqipëria të personave që përpiqen t’i shmangen procedimeve penale.
“Mbi bazën e këtij regjistri, Policia Kufitare dhe Emigracioni do të ushtrojnë për çdo dhunues të drejtën që i jep ligji për kontrollin e kufirit shtetëror, për t’u refuzuar dalja nga vendi personave që synojnë t’i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit apo ekzekutimit të dënimit me burg për këto vepra”, u shpreh kryeministri.
Rama shtoi se vendimi parashikon gjithashtu njoftimin e autoriteteve të huaja dhe institucioneve përkatëse në vendet ku udhëtojnë personat e regjistruar.
“Vendimi parashikon edhe njoftimin e autoriteteve të huaja të vendeve ku udhëton personi, si dhe strukturave akomoduese vendase dhe të huaja për rrezikshmërinë që ai paraqet për sigurinë dhe rendin publik, përfshirë kompanitë e transportit ajror, detar apo hekurudhor”, tha Rama.
Në deklaratën e tij, kryeministri lëshoi edhe një paralajmërim të drejtpërdrejtë për autorët e akteve të dhunës gjatë protestave.
“Të jetë i bindur çdo dhunues, qoftë me banim në Tiranë apo si ata me bluza të bardha dhe me maska që kishin ardhur dje nga Spanja si mercenarë të paguar për të ushtruar dhunë, se kush do të dhunojë në Shqipëri do ta ketë të vështirë të rikthehet apo të qëndrojë i qetë në Evropë pa mbaruar njëherë punë me drejtësinë dhe ligjin këtu në Tiranë”, deklaroi Rama.
Kryeministri kujtoi se paketa e re kundër dhunës dhe anarkisë urbane përbëhet nga gjashtë instrumente kryesore: akti normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të bizneseve të vogla, ligji për riparimin e dëmeve, ndryshimet në ligjin për tubimet, regjistri elektronik i posaçëm për dhunuesit urbanë, ndryshimet në Kodin e Etikës së mësuesve dhe propozimet për ndryshime në Kodin Penal.
Më herët, Rama paralajmëroi gjithashtu se do të konsiderohet vepër penale pajisja me maska për persona që marrin pjesë në protesta të dhunshme, se do të ketë masa ndaj atyre që nuk zbatojnë urdhrat e policisë dhe se për dhunuesit do të aplikohen kufizime për lëvizjen jashtë vendit.
Sipas kreut të qeverisë, qëllimi i paketës është që protesta paqësore të mbrohet, ndërsa dhuna, vandalizmi dhe dëmtimi i pronës publike e private të ndëshkohen sipas ligjit.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.