Hoxhaj: Kosova duhet ta dërgojë aktgjykimin e Speciales në Komisionin e Venecias
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Kosova duhet ta dërgojë për shqyrtim në Komisionin e Venecias aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hoxhaj ka thënë se ky duhet të jetë hapi i parë institucional pas aktgjykimit të 16 shtatorit, duke kërkuar që dokumenti të shqyrtohet në tërësi nga Komisioni i Venecias.
Sipas tij, një veprim i tillë është i nevojshëm edhe për shkak të mënyrës se si, sipas tij, gjyqtarët e çështjes e trajtojnë statusin e Kosovës.
“Unë mendoj që gjëja e parë që duhet të bëjë Kosova është ta dërgojë aktgjykimin për ish-krerët e UÇK-së, të marrë më 16 shtator, në Komisionin e Venecias. Meqë gjyqtarët e këtij rasti nuk po e dinë ende a jemi të pavarur si shtet apo jo, mendoj që Komisioni i Venecias duhet ta shohë aktgjykimin nga fillimi deri në fund”, ka thënë Hoxhaj në ATV.
Ai ka rikujtuar se Kosova është anëtare e Komisionit të Venecias, duke theksuar se anëtarësimi ishte realizuar gjatë kohës kur ai drejtonte Ministrinë e Punëve të Jashtme.
“Në Komisionin e Venecias Kosova është anëtarësuar kur unë kam qenë ministër i Jashtëm. Ne jemi shtet anëtar aty, pa asteriks, pa fusnotë, jemi shtet i barabartë”, ka deklaruar ai.
Hoxhaj ka shtuar se, pas këtij hapi, Kosova duhet të veprojë me urgjencë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe, sipas tij, në këtë kuadër të trajtohet edhe çështja e Gjykatës Speciale.
“Pas këtij hapi, mendoj që Kosova duhet me urgjencë ta nisë anëtarësimin për Këshill të Evropës dhe të trajtohet Gjykata Speciale”, ka përfunduar Hoxhaj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.