INDI – Tragjedi në festivalin hindu, 19 të vdekur nga paniku në turmë
NJU DELHI, 19 tetor /ATSH-DPA/- Numri i personave që kanë humbur jetën nga shtyrjet dhe rrëmuja e krijuar gjatë një festivali hindu në qytetin Kolkata, në Indi ka shkuar në 19, njoftoi sot kreu i qeverisë së shtetit të Bengalit Perëndimor, Suvendu Adhikari.
Adhikari tha gjithashtu për gazetarët në Kolkata se 25 persona të plagosur nga incidenti ndodheshin ende në spital.
Gazeta indiane “The Hindu” raportoi se mes viktimave ishin katër fëmijë dhe 13 gra.
Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje, pranë një daljeje të një pavijoni të ngritur për festivalin, ku ishte mbledhur një numër i madh njerëzish. Sipas medieve indiane, shumë prej tyre kishin hyrë për t’u mbrojtur nga shiu.
Sipas gazetës “The Hindu”, mes turmës shpërtheu paniku pas një njoftimi të gabuar, për rrezikun e shembjes së pavijonit, që i çorientoi njerëzit.
Revista “India Today” citoi një zyrtar të policisë, sipas të cilit ekzistojnë pamje filmike ku dëgjohet një paralajmërim se pavijoni mund të shembet.
Sipas raportimeve të mediave, disa persona janë ndaluar gjatë hetimeve, mes tyre organizatorë të festivalit dhe punonjës të një kompanie private sigurie.
Festivali “Durga Puja”, kushtuar perëndeshës hindu Durga, po zhvillohet në shtetin e Bengalit Perëndimor, në lindje të Indisë, nga 16 deri më 21 tetor.
Aksidente të tilla ndodhin shpesh në Indi, gjatë festivaleve të mëdha fetare ose aktiviteteve të tjera ku mblidhen shumë njerëz.
Në janar të vitit 2025, të paktën 30 persona humbën jetën nga shtyrjet dhe rrëmuja gjatë festivalit “Maha Kumbh Mela”, pelegrinazhi më i madh në botë, në qytetin Prayagraj, në veri të Indisë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.