Inisiativa kineze 16+1: Ekspertët në Budapest, Shqipëria e vonuar në projekte, më mirë Serbia
Në kuadër të mekanizmit të bashkëpunimit 16+1 midis Kinës e vendeve të Europës Qendore e Lindore (EQL) dhe samitit të kryeministrave të këtyre vendeve që do të mbahet në kryeqytetin hungarez Budapest më 27 nëntor, të hënën po në Budapest u mbajt konferenca e grupeve të ekspertëve Kinë-Vendet e EQL-së.
Diplomatë, studiues, ekonomistë e përfaqësues të medias diskutuan për mundësitë e zbatimit të projekteve në fushat e energjetikës, infrastrukturës, teknologjisë etj. dhe shkëmbyen përvojat e tyre në zhvillimin e këtyre projekteve, të cilat mbështeten nga qeveria kineze.
Vende si Polonia, Hungaria, Serbia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina kanë realizuar që kur ka filluar kjo nismë një sërë projektesh në fusha të ndryshme dhe sollën përvojën e tyre në mundësitë që krijohen për rritjen e investimeve.
Ministri i shtetit për Kulturën dhe Shkencën i Hungarisë Istvan Ijgyarto në çelje të punimeve të konferencës theksoi nevojën e një bashkëpunimi midis qeverive të vendeve të përfshira në këtë mekanizëm, jo vetëm për të bërë me efektive investimet, por edhe për të krijuar një korridor komunikimi në projekte të ngjashme.
Ai nënvizoi se mundësitë e ofruara nga qeveria kineze janë shumë të gjera dhe shfrytëzimi me rentabilitet i tyre bën të mundur që vendet e Europës Lindore dhe të Ballkanit, si përfituese të drejtpërdrejta, t’i japin një hov të ri zhvillimit ekonomik.
Huan Ping, sekretar i përgjithshëm i rrjetit të grupeve të ekspertëve Kinë-EQL, paraqiti një tablo të investimeve të kryera gjatë këtyre viteve dhe projekteve të financuara nga qeveria kineze, sipas së cilës vendin e parë për thithjen e këtyre investimeve e zë Polonia, e ndjekur nga Hungaria, Serbia, Maqedonia etj.
Në konferencë u ballafaquan mendimet për mundësitë e thithjes së investimeve edhe në fusha si turizmi, telekomunikacioni, bujqësia etj., me synim jo vetëm rritjen e ritmeve të zhvillimit ekonomik, po edhe shtimin e punësimit.
Në Konferencë u theksua se të gjitha vendet e Ballkanit kanë mundësi të shumta për thithjen e investimeve dhe përfitim nga mbështetja që jep qeveria kineze. Shqipëria, Kroacia e Mali i Zi kanë burime të mëdha, sidomos në turizëm, dhe projektet në këtë fushë, po edhe në infrastrukturë sipas studimeve të realizuara, kanë mundësi përfitimi e mbështetjeje më të shpejtë, kjo edhe për faktin se këto projekte kanë ndikim rajonal.