Inspeksioni veterinar urdhëron mbylljen urgjente të gropës me derra të ngordhur në Spuzh
Inspeksioni veterinar ka urdhëruar mbylljen urgjente të gropës ku në një fermë në Spuzh, pranë Danilovgradit, mbaheshin prej ditësh kufoma derrash pa u mbuluar, siç njofton RTCG-ja. Pas ankesave të qytetarëve se kufomat e derrave nga ferma nuk po asgjëssoheshin sipas ligjit, inspektori veterinar doli në terren, ka thënë për Radion e Malit të Zi drejtori i Administratës për Sigurinë e Ushqimit, Çështjet Veterinare dhe Fitosanitare, Vladimir Gjakoviq.
Sipas raportimit të RTCG-së, Gjakoviq shpjegoi se ferma kishte qenë nën mbikëqyrje inspektuese edhe para dy muajsh dhe i ishte lënë afat për heqjen e parregullsive. “Nuk bëhej fjalë për ndonjë sëmundje ngjitëse, por për ngordhje të zakonshme. Inspektori konstatoi se aty ndodheshin kufoma kafshësh që prej disa ditësh mbaheshin në gropë, pa u bërë mbyllja e saj. Ai urdhëroi mbylljen urgjente dhe gropa-varrezë për asgjësimin e nënprodukteve tashmë është mbuluar. Ferma do të jetë në ditët në vijim nën mbikëqyrje më intensive të Administratës sonë dhe të inspektorit veterinar”, tha Gjakoviq.
Drejtori theksoi se qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim, sepse mishi nga kjo fermë që gjendet në shitje me pakicë është i sigurt për konsum. Ai shtoi se në ferma ngordhja prej tre deri në pesë për qind konsiderohet normale, por shprehu shpresën se Komuna e Danilovgradit do ta zgjidhë sa më parë problemin e varrezës së kafshëve.
Aktivisti mjedisor Vuk Ikoviq, siç njofton Portal Analitika, paralajmëron se çdo mbetje, përfshirë atë shtazore, është burim i mundshëm infeksioni nëse asgjësohet në mënyrë të parregullt. Sipas tij, derrat e ngordhur janë varrosur në gropa të improvizuara, të mbuluara vetëm me një llamarinë, rreth të cilave mblidhen qen dhe shpendë që përhapin mbetjet e kufomave. Ikoviqi vë në dukje se kjo praktikë përsëritet prej ditësh e muajsh dhe se vetëm dy kilometra në vijë ajrore nga gropa ndodhen ujëra nëntokësore e sipërfaqësore, ndaj me shirat e parë rrezikohet edhe burimi i ujit Mareza.
Inspeksioni Mjedisor, në përgjigjen për Radion e Malit të Zi, bëri të ditur se nuk ka kompetencë të mbikëqyrë procedurën e largimit të kafshëve të ngordhura. Komuna e Danilovgradit, edhe dy vjet pas etheve “Q”, ende nuk ka varrezë kafshësh e as gropa për këtë qëllim; gjatë krizës së vitit 2024, bagëtitë e infektuara pritën me ditë asgjësimin pikërisht për mungesë vendi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.