Integrimi në skaner, Taulant Balla takon studentët e ELSA-s: Negociatat, projekt transformimi për shoqërinë
Procesi i integrimit evropian i Shqipërisë po hyn në një fazë vendimtare, duke kërkuar jo vetëm angazhim institucional, por edhe përfshirjen aktive të brezit të ri të profesionistëve. Në këtë kuadër, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) organizoi një takim ndërgjegjësues mbi rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, ku të pranishëm ishin studentët dhe përfaqësuesit nga Shoqata Evropiane e Studentëve të Ligjit (ELSA).
Ky takim shërbeu si një platformë për të diskutuar funksionin mbikëqyrës të Parlamentit dhe kontributin që juristët e rinj duhet të japin në këtë rrugëtim kombëtar.
Takimi u përshëndet nga bashkëkryetari i KKIE-së, Taulant Balla, i cili vuri në dukje se vendi ndodhet në prag të një hapi madhor: zhvillimit të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE. Sipas tij, ky zhvillim “pritet të shënojë hyrjen në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE”.
Balla ndau me studentët e ligjit natyrën e dyfishtë të këtij procesi, duke u shprehur se:
“Procesi i negociatave është një projekt transformimi i thellë i shoqërisë shqiptare dhe përfituesit përfundimtarë të reformave integruese do të jenë qytetarët.”
Sfidat e përafrimit të legjislacionit dhe rolet e reja
Gjatë bashkëbisedimit, vëmendje e veçantë iu kushtua reformave të ndërmarra dhe punës intensive të Kuvendit për harmonizimin e ligjeve tona me ato të familjes europiane. Ky proces sa teknik aq edhe politik kërkon standarde të larta të shtetit të së drejtës dhe një monitorim të rreptë parlamentar ndaj ekzekutivit.
Në fokus të diskutimit ishin reformat e prekura drejtpërdrejt nga ky proces përafrimi, ku u përmendën: ndryshimet e rëndësishme në Kodin Penal; ligji për barazinë gjinore dhe mbrojtjen nga diskriminimi; ligjet kyçe që lidhen me reformën në sistemin e drejtësisë; ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe ndryshimet në ligjin për mediat audio-vizive.
Për t’iu përgjigjur këtij ritmi të lartë, Balla vuri theksin te nevoja emergjente për profesionistë të rinj të mirëpërgatitur në fushën e së drejtës europiane.
Aktiviteti u përmbyll me një sesion pyetje-përgjigje, ku studentët e ELSA-s treguan interes të lartë për ecurinë e përmbushjes së detyrimeve për grupkapituj të caktuar, ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, si dhe për hapësirat që ofron diplomacia parlamentare në këtë fazë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.