BM – Burnham: Rusia ndërhyri në referendumin për Brexit-in
LONDËR, 11 tetor /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Andy Burnham deklaroi se Mbretëria e Bashkuar e ka të qartë se ka pasur ndërhyrje ruse në referendumin për Brexit-in.
Ai tha se, kur hyri në “Downing Street nr. 10” disa muaj më parë, pyeti nëse Moska kishte ndërhyrë në votimin e vitit 2016 për largimin nga BE-ja dhe mori “përgjigjen e qartë se po, kishte pasur”.
Kryeministri tha se beson se është e rëndësishme që kjo të thuhet “qartësisht dhe zyrtarisht”, për t’i ndihmuar votuesit në Gjermani dhe Francë të kuptojnë se “një pjesë e kësaj politike nxitet nga armiqtë tanë”, në një kohë kur partitë e ekstremit të djathtë po shënojnë rritje në ato vende.
Komiteti Parlamentar për Inteligjencën dhe Sigurinë konstatoi në vitin 2020 se qeveria nuk arriti ta vlerësonte plotësisht ndikimin që mund të kishin pasur në referendumin për BE-në mediat shtetërore ruse dhe llogaritë e “trolleve”.
Burnham, duke folur në podkastin “The rest is politics” që do të publikohet nesër, tha se diskutoi me kancelarin gjerman Friedrich Merz rreth kërcënimit që paraqet partia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), gjatë takimit të tyre në Berlin këtë javë.
Ndërsa Merz përballet me sfidën e sukseseve të fundit zgjedhore rajonale të AfD-së, Burnham tha se “një gjë që i thashë kancelarit Merz… është se duhet t’ju mbështesim në përballimin e kërcënimit që keni përpara dhe veçanërisht të llojit të politikës me të cilën po përballeni”.
“Ai më tha se AfD-ja është qartazi e lidhur me Rusinë, madje besoj se financohet prej saj. Sigurisht që ka keqinformim dhe dezinformim që vjen nga Rusia në politikën gjermane”, theksoi ai.
“Është e rëndësishme që këto çështje të bëhen të ditura qartë dhe besoj se kjo i ndihmon votuesit në Gjermani dhe Francë të kuptojnë se një pjesë e kësaj politike nxitet nga armiqtë tanë, konkretisht nga Rusia”, shtoi kryeministri.
“Mendoj se, në fakt, kemi qenë tepër në pozicion mbrojtës për këtë çështje dhe nuk i kemi informuar njerëzit mjaftueshëm mbi shkallën në të cilën po tentohet të cenohet procesi politik nga jashtë vendit”, tha ai./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.