Intensifikim i bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Maqedoni
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe ministri i Ekonomisë të Maqedonisë, Bekim Neziri, gjatë një takimi të premten në Tiranë vlerësuan marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, ndërsa vunë në dukje nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, kryetari Meta vlerësoi se vizitën e ministrit Nezir, e cila tha ai, rikonfirmon intensitetin dhe nivelin e lartë të shkëmbimeve dypalëshe. Në këtë drejtim, kryeparlamentari theksoi se marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Maqedonisë duhen përqendruar gjithnjë e më tepër në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare.
Ministri maqedonas i Ekonomisë shprehu mirënjohjen për angazhimin e Kuvendit në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa vuri në dukje se marrëdhëniet ndërparlamentare janë shumë të rëndësishmë në rritjen e cilësisë së bashkëpunimit mes Tiranës dhe Shkupit.
Kryetari Meta dhe ministri Neziri biseduan gjithashtu më konkretisht rreth prioriteteve të përbashkëta ekonomike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, të cilat lidhen ngushtë me forcimin e ndërlidhjes rajonale.
Në përfundim të takimit Kryetari i Kuvendit, Meta, shprehu mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë në intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në proceset e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë.