Interpelanca/ Xhixho: Spitali i Traumës në degradim, pacientët në pritje të gjatë. Sala: Deklarata politike pa fakte, s’ka ndërprerje shërbimi
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, gjatë një interpelance në Kuvend me Ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, ka ngritur shqetësime për situatën në Spitalin Universitar të Traumës, të cilin e cilësoi si të vetmin spital të këtij lloji në vend.Xhixho deklaroi se ky spital, sipas saj, përfaqëson “simbol të degradimit të sistemit shëndetësor”, duke theksuar se gjatë vitit 2025 ka trajtuar mbi 62 mijë pacientë. Ajo ngriti shqetësimin se prej dhjetorit 2025, 10 salla operative janë mbyllur për shkak të një procesi rikonstruksioni që, sipas saj, po zgjat pa afat të qartë.
Sipas deputetes, mungesa e transparencës dhe e një plani alternativ funksional ka sjellë krijimin e listave të gjata të pritjes, ndërsa pacientë me urgjenca, sipas saj, presin me javë të tëra për ndërhyrje. Ajo kërkoi shpjegime mbi planin e kontingjencës gjatë periudhës së rikonstruksionit, numrin e pacientëve në pritje dhe arsyet e mungesës së informimit publik për kufizimin e shërbimeve.“Ky spital sot, është simbol i degradimit të sistemit shëndetësor që ju drejtoni. Gjatë 2025-ës shërbim mbi 62 mijë shqiptarë. Por prej dhjetorit 2025, 10 salla operative janë mbyllur për shkak të një rikonstruksioni që zgjat pafund. Pa transparencë dhe pa plan alternativ funksional, mijëra qytetarë janë lënë në listë pritje dhe pacientët me urgjenca presin me javë të tëra me dhembje. Do doja disa përgjigje: Ç ‘shpjegim do u jepni pacientëve që në këtë spital janë mbyllur sallat operatore pa garantuar kapacitete alternative? A ka plan kontigjence për përballimin e situatës gjatë rikonstruksionit 2 vjeçar dhe pse plani s’është bërë publik? Pse pacientët nuk janë informuar zyrtarisht se shumë shërbime janë pezulluar e kufizuar prej muajsh? Sa pacientë në listë pritje ka aktualisht dhe sa presin prej nj viti për operacion?Pse ju thuhet pacientëve se mund të presin deri në 6 vite për një ndërhyrje kirurgjikale?”, tha Xhixho.
Në përgjigjen e saj, ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, deklaroi se Spitali Universitar i Traumës mbetet një nga institucionet kryesore të emergjencës në vend, që trajton çdo ditë pacientë me trauma të rënda, aksidente dhe raste komplekse.Ajo i cilësoi deklaratat e opozitës si “sensacionalizëm politik pa përgjegjësi”, duke theksuar se spitali nuk është mbyllur dhe asnjë pacient nuk është lënë pa shërbim.Sipas ministres, procesi i modernizimit të spitalit është një investim i domosdoshëm me standarde të larta sigurie, me një fond prej 759 milionë lekësh. Punimet, të nisura në shtator 2025, po realizohen me faza për të garantuar vijimësinë e shërbimeve.“Spirtali Universitar i Traumës, spital që përballon emergjencat më të rënda në vend. Struktura që çdo ditë trajton pacientë politrauma, aksidente të rënda dhe raste komplekse. Një proces modernizimi po tentohet të paraqitet me sensacion politik dhe pa përgjegjësi.Për këtë arsye, debati për këtë spital duhet të mbështeten mbi fakte, përgjegjësi dhe jo mbi perceptime të pavërteta.Spitali i Traumës nuk është mbyllur, asnjë pacientë nuk është lënë pa shërbim. Spitali në proces riskonstruksioni dhe modernizimi, investim i domosdoshëm me standarde të larta sigurie. Fond prej 759 milionë lekësh. Punimet kanë nisur në shtator 2025 dhe po realizohen me faza për garantimin e vijueshmërisë së shërbimit. Aktualisht po punohet në sistemimet e jashtme dhe në bllokun operator qendror. Operatori i urgjencës funksionon normalisht dhe kryer ndërhyrjet e nevojshme te traumës dhe ortopedisë”, nënvizoi ministrja.Sala sqaroi se aktualisht po kryhen ndërhyrje në sistemimet e jashtme dhe në bllokun operator qendror, ndërsa urgjenca funksionon normalisht dhe vijon të kryejë ndërhyrjet e nevojshme për rastet e traumës dhe ortopedisë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.