Rajoni

Invest Macedonia: “Sekretet” si po i tërheqim investitorët e huaj

aaaIntervistë e z.Visar Fida, drejtor ekzekutiv i “Invest Macedonia”,  Shkup-Maqedoni.

Delphi, Key Safety Systems, Johnson Control, Gentherm, Lear, Cap-Con, Kostal, ODV Elektric, Technical Textile, Kondevo, ITEK, INDBUS, etj janë disa sipërmarrje të rëndësishme që kanë investuar vitet e fundit në Maqedoni. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, pas një fushate agresive marketingu, përdorimit të lehtësive fiskale, taksave të ulëta dhe promovimit të zonave të lira ekonomike, Maqedonia po kthehet në një magnet për kompani të huaja nga e gjithë bota. Sipërmarrje prestigjioze amerikane dhe ato europiane të industrisë automobilistike e të tjera të specializuara po e shohin shtetin fqinj si një destinacion të përshtatshëm për të shtrirë dhe për të rritur kapitalin e tyre. Zoti Visar Fida, ekzekutiv i Invest Macedonia (ose Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovimin e Eksportit të Republikës së Maqedonisë) sjell përvojën e agjencisë që ai drejton në tërheqjen e investitorëve të huaj.

Kemi parë së fundmi që një sërë sipërmarrjesh të huaja po hyjnë me investime në Maqedoni. Nëse mund të përmendni disa më kryesoret dhe të mëdhatë dhe vendet e punës që kanë hapur?

Qeveria e Maqedonisë, në bashkëpunim me Agjencinë për Investime të Huaja dhe Promovimin e Eksportit, duke qenë të vetëdijshëm se Investimet e Huaja Direkte, si një mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit dhe njëkohësisht si një ndër faktorët kyç për integrimin ekonomik në përmasa ndërkombëtare, bën vazhdimisht përpjekje që të krijojë lidhje të drejtpërdrejta dhe afatgjata me investitorët potencialë, të cilët kanë shprehur gatishmëri që të investojnë në vendin tonë. Maqedonia ofron paketa avantazhesh, të cilat kanë për qëllim të joshin sa më tepër investitorë të huaj, si mundësi për impakt më të madh në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Prandaj mund të themi se qëllimet tona po realizohen. Tani kemi arritur që të sjellim në Maqedoni kompanitë prestigjioze amerikane dhe ato europiane të industrisë automobilistike dhe sidomos ato të cilat janë të specializuara në prodhimin e inflatorëve për jastëkë ajrorë si Delphi, Key Safety Systems, Johnson Control, Gentherm, Lear, Cap-Con. Pastaj ka nisur punën edhe kompania gjermane Kostal, e cila prodhon komponentë elektronikë për industrinë automobilistike; kemi ODV Elektric, kompani e specializuar për prodhimin e instalimeve nga teli për industrinë automobilistike; kompaninë gjermane Technical Textile, e cila merret me prodhimin e tekstilit teknik. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe kompaninë italiane Kondevo, e cila prodhon bojlerë; kompaninë ITEK, që merret me prodhimin e materialeve të përbëra; INDBUS, e cila është e njohur për prodhimin e autobusëve dhe Istem Medical dhe Eko- 60 nga Turqia dhe shumë të tjera, të cilat po ashtu janë kompani mjaft të rëndësishme. Ato e kanë vlerësuar Maqedoninë një destinacion të përshtatshëm për të shtrirë dhe për të rritur kapitalin e tyre.

 Nëse mund të zbuloni disa “sekrete” se pse kompanitë e huaja po zgjedhin Maqedoninë për të investuar në rajon, si në këndvështrimin e lehtësive për të bërë biznes, nxitësve që mund të ofrojë qeveria, apo fuqisë punëtorë të kualifikuar?

Investimet e Huaja Direkte janë një element i rëndësishëm i shtyrjes së proceseve të globalizimit, vazhdimisht tentojmë që të krijojmë oferta sa më të volitshme për të gjithë ata investitorë potencialë të cilët dëshirojnë që të shtrijnë kapitalin e tyre në vendin tonë. Për të arritur këto qëllime, së pari kemi siguruar që nga aspekti ligjor, investitorët të ndihen sa më të sigurt në bërjen e biznesit të tyre, pastaj në Maqedoni mund të gjejnë një ambient jashtëzakonisht konkurrues, një infrastrukturë të mirë, sidomos bëhet fjalë për 2 korridoret: Korridori 8 (lindje – perëndim) dhe Korridori 10 (veri-jug) të cilët e bëjnë shtetin tonë urë lidhëse me vendet tjera europiane por edhe ato aziatike e më gjerë. Fakt shumë i rëndësishëm është edhe fuqia punëtore e kualifikuar dhe konkurruese, e cila është lehtësi mjaft e rëndësishme, lehtësira nga llojet e ndryshme si taksa të qëndrueshme dhe më të ulëta në Europë, vetëm 10% tatim mbi të ardhurat e korporatave dhe ato personale dhe 0% tatim në fitimet e mbartura, ndërsa në Zonat e Lira Ekonomike, kompanitë janë të çliruara nga tatimet. Po ashtu, edhe marrja e lejeve dhe licencave doganore bëhet në mënyrë elektronike. Gjithsesi, vlen të theksohet se investimet janë të mbrojtura. Ato kanë garanci nga vetë qeveria e Maqedonisë. Regjistrimi i kompanisë bëhet vetëm për katër orë me modelin e One-Stop-Shop.

Si kanë funksionuar zonat e lira ekonomike? A janë konstatuar largime të kompanive apo ndryshime të destinacionit të aktivitetit në momentin që lehtësitë kanë mbaruar?

Nuk janë konstatuar largime të kompanive, të cilat kanë qenë të vendosura në zonat e vendit tonë. Zonat e Lira Ekonomike funksionojnë shumë mirë. Ato janë zona të veçanta në territorin e Maqedonisë, për të cilat janë paraparë lehtësira të veçanta doganore dhe janë të përcaktuara dhe zbatohen në kuadër të ligjit për ZZHTI. Pra, me kënaqësi mund të themi se përkundrazi, kompanitë vazhdojnë të qëndrojnë në vendin tonë duke prodhuar. Kemi informacione se shumë kompani do të investojnë në këto zona, si për shembull: Lear Corporation, ITEK, INDBUS në Zonën Ekonomike Industriale në Tetovë. Në zonën e Kërçovës do të investojë kompania: Key Safety Systems, në zonën industriale teknologjike. Në Strugë do të investojnë kompanitë: ODV Electric dhe Kostal. Në zonën e Shkupit do të investojnë kompanitë: Delphi, Istem Medical, Cap- Con si dhe kompani të tjera të cilat kanë vendosur të investojnë në zonat e ndryshme të lira teknologjike. Ndërsa numri i të punësuarve në zonat e lira ekonomike deri në shtator të vitit 2015 arriti në rreth 6,000 punëtorë. Ajo çka mund të themi është se jemi duke rritur ritmin e promovimit të këtyre zonave për më shumë investime të reja. Po punojmë që edhe zonat në Maqedoninë Perëndimore të promovohen sa ma tepër si destinacione të përshtatshme për vendosjen e investimeve dhe kapitaleve të huaja. Është parashikuar edhe krijimi i tri zonave të lira ekonomike në Likovë, Kumanovë dhe Mavrovë-Rostushë.

Maqedonia përgjithësisht pozicionohet më mirë se vendet e tjera të rajonit në renditjen globale, si p.sh., në Doing Business. Si ia ka arritur kësaj?

Bazuar në raportin e Bankës Botërore për vitin 2016 konstatojmë se jemi vendi më i mirë në rajon për të filluar bërjen e biznesit. Të gjithë këtë e arritëm me promovimin e palodhshëm dhe të vazhdueshëm të vendit, duke reklamuar nëpër revistat dhe mediat më të spikatura ndërkombëtare me ndihmën e qeverisë, por edhe me anë të Agjencisë dhe promotorëve ekonomikë, të cilët i kemi në pjesën më të madhe të botës. Kushtet e volitshme e kanë bërë shtetin tonë oaz për investitorët e huaj. Në vazhdimësi mbajmë vendet e larta nëpër rankimet e ndryshme. Jemi në vendin e 2-të për fillimin e bërjes së biznesit; në vendin e 12 në lehtësirat të cilat i ofrojmë për bërjen e biznesit; në vendin e 1 në botë në radhitjen e shkallës së përgjithshme tatimore; në vendin e 7 në pagesat e tatimeve të përgjithshme dhe në shumë rankime të tjera, të cilat i kanë bërë qendra të ndryshme statistikore. Kemi zënë vend të lakmueshëm në radhitjen mes shumë vendeve të rajonit, por edhe në nivel global.

Si do t’i vlerësoni marrëdhëniet tregtare dhe të biznesit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Cilat janë rekomandimet tuaja për përmirësimin e tyre?

Ne jemi shtete fqinje dhe në interesin tonë të përbashkët është që të kemi sa më tepër marrëveshje bashkëpunimi me të cilat do të jetësojmë interesat tona, duke bërë shkëmbime të informacioneve dhe duke intensifikuar shkëmbimet tregtare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Me bashkëpunimin intensiv të sipërmarrësve dhe me angazhimin më të fuqishëm të odave ekonomike dhe klasterëve të ndryshëm, vlerësoj se rezultati do të jetë tejet i kënaqshëm. Pra, duhet të rishikojmë seriozisht mundësitë për nxitjen sa më të madhe të interesimit të sipërmarrësve nga Shqipëria në Maqedoni dhe anasjelltas. Duhet mënjanuar çfarëdo lloji i barrierave nëse ekzistojnë dhe të ofrojmë mundësi operimi tregtar në interes të të dy vendeve. Shtrohet pyetja se si do të mund ta arrijmë këtë? Personalisht mendoj se vetëm me projekte të mirëhartuara dhe të cilat do të jenë konkrete, do të arrijmë atë pikën e rëndësishme të orientimit drejt forcimit të raporteve ekonomike. Rekomandimet e mia do të ishin që të organizohen sa më tepër vizita të ndërsjella, të cilat do të ishin në interes të përbashkët dhe me shqyrtimin e mundësive për investime mes dy vendeve fqinje, siç janë Maqedonia dhe Shqipëria. Natyrisht që e gjithë kjo arrihet përmes promovimit duke organizuar forume të përbashkëta në të cilat do të përfshihen industri të ndryshme, veçanërisht të industrisë ushqimore dhe turizmit, ashtu siç kemi bërë vitet e kaluara, e kam fjalën për Forumet e bizneseve Maqedoni–Shqipëri, të cilat u finalizuan me nënshkrimin e Memorandumit për Mirëkuptim ndërmjet Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovimin e Eksportit të Republikës së Maqedonisë dhe Agjencisë për Zhvillimin e Investime të Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button