Investigimi që përmbys historinë: Netanyahu u paralajmërua për sulmin e 7 tetorit, por nuk reagoi
Gazeta izraelite, Haaretz, ka publikuar një investigim lidhur me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Sipas një hetimi të saj, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed, kishte paralajmëruar personalisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se lideri i atëhershëm i Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar, po përgatiste një operacion të madh kundër Izraelit.
Paralajmërimi është bërë rreth dhjetë ditë para sulmit të 7 tetorit. Netanyahu, megjithatë, dyshohet se e kishte nënvlerësuar informacionin, duke vlerësuar se Hamasi mund të kishte në fokus kryesisht Bregun Perëndimor dhe duke e siguruar liderin e Emirateve se Izraeli ishte i përgatitur për çdo kërcënim. Nga ana tjetër, zyra e Netanyahut i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke deklaruar se një bisedë e tillë nuk ka ndodhur.
Biseda 45-minutëshe dhe paralajmërimi për Sinwarin
Sipas Haaretz, e cila citon tre burime të huaja të nivelit të lartë me dijeni për përmbajtjen e bisedës, Mohamed bin Zayed kontaktoi Netanyahun rreth dhjetë ditë para 7 tetorit. Biseda thuhet se zgjati rreth 45 minuta. Gjatë bisedës, presidenti i Emirateve dyshohet se paralajmëroi Netanyahun se Yahya Sinwar po përgatiste një operacion të madh.
Ai shprehu shqetësimin se një sulm i tillë mund të shkaktonte një gjakderdhje të madhe, të destabilizonte rajonin dhe të dëmtonte marrëdhëniet e krijuara përmes Marrëveshjeve të Abrahamit, të cilat kishin sjellë normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe disa shteteve arabe. Sipas gazetës, Netanyahu iu përgjigj se besonte se Hamasi ishte më i përqendruar te Bregu Perëndimor dhe e siguroi bin Zayed se Izraeli ishte në gjendje të përballonte çdo kërcënim.
Edhe Egjipti dyshohet se kishte paralajmëruar Netanyahun
Sipas hetimit të Haaretz, Emiratet e Bashkuara Arabe nuk ishin i vetmi shtet që tentoi të paralajmëronte Izraelin. Rreth së njëjtës periudhë, kreu i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, dyshohet se kontaktoi Netanyahun dhe e paralajmëroi se Hamasi po përgatiste “diçka të pazakontë, një operacion të frikshëm”.
Netanyahu u përgjigj se situata në Gaza ishte nën kontroll dhe se Izraeli në atë periudhë kishte përqendruar vëmendjen dhe një pjesë të konsiderueshme të forcave ushtarake në Bregun Perëndimor. Gazeta pretendon se as paralajmërimi nga Emiratet dhe as ai nga Egjipti nuk u përmendën nga Netanyahu në një takim të mëvonshëm, më 1 tetor 2023, vetëm gjashtë ditë para sulmit, ku u diskutua situata në Gaza dhe kërcënimi nga Hamasi.
Një zyrtar i lartë i Shin Bet, i cituar nga gazeta, vlerëson se nëse shërbimet e sigurisë do të kishin pasur dijeni për këto paralajmërime, mund t’i kishin interpretuar ndryshe sinjalet e mëparshme të Sinwarit dhe qëndrimin e Hamasit në negociata.
Zyra e Netanyahut: Gënjeshtër flagrante
Zyra e kryeministrit izraelit i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e publikuara nga Haaretz.
“Gënjeshtër flagrante. Kryeministri Netanyahu nuk ka folur me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë kësaj periudhe dhe nuk ka marrë asnjë paralajmërim prej tij”, thuhet në reagimin e zyrës së kryeministrit.
Sipas Haaretz, Mohamed bin Zayed nuk iu përgjigj kërkesës së gazetës për koment mbi raportimin. Publikimi i hetimit ka shkaktuar menjëherë reagime politike në Izrael. Ish-kryeministri Naftali Bennett deklaroi se e di “si fakt” se informacioni është i vërtetë.
Sipas tij, si Mohamed bin Zayed, ashtu edhe kreu i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, e kishin paralajmëruar Netanyahun për një operacion të madh të Hamasit përpara 7 tetorit. Bennett kritikoi ashpër kryeministrin aktual, duke e akuzuar se kishte mbetur i mbërthyer në bindjen se Hamasi mund të kontrollohej dhe se nuk kishte reaguar në mënyrë të mjaftueshme ndaj paralajmërimeve/Haaretz



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.