Ekonomia

Investimet- BERZH mbledh udhëheqësit e Ballkanit të hënën

Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Bosnjës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë), pritet të mblidhen së bashku në Londër të hënën, me 22 shkurt, për të diskutuar rreth çështjes së investimeve dhe mundësive që ato ofrojnë për të bërë biznes në vendet e tyre.

Kjo u bë e ditur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim përmes një njoftimi për shtyp. Ky është takimi i dytë i këtij lloji që organizohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, pas atij të shkurtit të vitit 2014.

Pjesëmarrjen në këtë takim të rëndësishëm të Kryeministri, Edi Rama, e ka konfirmuar edhe zyra e shtypit e Kryeministrisë, përmes ditarit të shpërndarë për mediat.

Presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, do të hape konferencën, e cila do të vazhdojë me panelin ku do të jenë të pranishëm kryeministrat e Ballkanit. Në tre panele të tjerë, do të diskutohet për zhvillimin e rrjeteve të transportit, për energjinë e rinovueshme dhe axhendën e privatizimeve në Ballkanin Perëndimor. Në këto panele do të marrin pjesë anëtarë të kabineteve qeveritare, sipërmarrës dhe investitorë.

Takimi i nivelit të lartë, ka si synim nxitjen e investimeve të huaja direkte në rajon dhe projektet e përbashkëta ndërkufitare. Gjatë konferencës do të prezantohet nisja e një projekti të BERZH-it, një platformë e re rajonale për kuotimin e titujve të bursave të Bullgarisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. BERZH-i përmes njoftimit për shtyp bën të ditur se edhe bursa sllovene dhe serbe kanë shprehur interesin për tju bashkuar kësaj nisme, e cila synon integrimin rajonal të tregjeve të kapitalit.

BERZH-i është ndër investitorët kryesorë në rajonin e Ballkanit. Vetëm vitin e kaluar Banka ka investitor afër 1 miliard euro në projekte të ndryshme në sektorin e energjisë, infrastrukturës apo edhe atë financiar në mbështetje të bujqësisë në vendet ballkanike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button