Investimet e huaja ngadalësojnë ritmin, çfarë do bëhet kur të mbarojnë TAP dhe Devolli
Investimet e huaja arritën në 168 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2017, duke u rritur me 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, pavarësisht përmirësimit të lehtë, investimet e huaja kanë shënuar nivelin më të ulët pas tre tremujorëve radhazi kur kishin njohur rritje të fortë.
Shifrat bëhen të ditura në raportin e bilancit të pagesave të bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas analizës së bankës, Fluksi hyrës neto i investimeve direkte shënon 168 milionë euro (ose +8% në terma vjetorë), nga të cilat 188 milionë euro vijnë në trajtën e zgjerimit të kapitalit dhe një fluks negativ prej 20 milionë euro i derivuar nga marrëdhëniet e borxhit mes kompanive të lidhura.
Prurjet valutore në formën e investimeve direkte janë të përqëndruara në sektorin e energjetikës (me rreth 41%), hidrokarbureve (në masën 37%), e ndërmjetësimit financiar (në masën 6%). Ndërkohë që rritja më e madhe e fluksit vërehet në sektorin e energjetikës. Në terma vjetorë, injektimi me kapital u zgjerua ndjeshëm në masën 50%.
Në vitin 2016, investimet e huaja arritën në 983 milionë euro në vitin 2016, duke arritur në një nivel rekord, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në raport me vitin 2015, Investimet e Huaja Direkte u rritën me 10%. Në 2016-n, sipas tremujorëve, pas një gjysme të parë të vakët, investimet e kanë marrë veten, si rrjedhojë e fillimit të punës nga gazsjellësi TAP. Niveli më i lartë është konstatuar në tremujorin e tretë, me 303 milionë euro.
Dy vitet e fundit investimet e huaja janë ndikuar ndjeshëm nga punimet për gazsjellësin TAP dhe ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Por, shqetësimi lidhet me faktin që këto dy projekte janë afatshkurtra në kohë dhe kërkohet diversifikimin në afatin e mesëm. Nga ana tjetër edhe investimet në sektorin e hidrokarbureve janë të varura nga bursat ndërkombëtare. Në vitin 2015, investimet në hidrokarbure (që janë kryesisht hapje pusesh) ranë ndjeshëm për shkak të çmimeve të ulëta të naftës. Ndërsa në 2016-n dhe tremujorin e parë 2017 është vënë re një gjallërim i tyre për shkak të çmimeve më të favorshme në bursa.
Komisioni Europian ka tërhequr vëmendjen për nevojën e diversifikimit të investimeve të huaja dhe burimeve të rritjes së Shqipërisë në raportin e zgjeruar të programit të reformave për Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Turqinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën për periudhën 2017-2019.
Sipas raportit, përfundimi i projekteve të mëdha dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para mund të përbëjë rrezik për rritjen, nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do ta integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më të mira në të gjithë ekonominë.