IRAN – Postimet kundër regjimit i kushtojnë jetën, dënohet me vdekje 40-vjeçari
– Një dënim me vdekje për përmbajtjet e publikuara në rrjetet sociale. Ky është vendimi i dhënë nga drejtësia iraniane ndaj 40-vjeçarit Amirhossein Mousavi, i akuzuar për “korrupsion në tokë”, një nga veprat më të rënda penale në Iran, shkruan tgcom24.it
Lajmi u bë i ditur nga avokati i tij dhe disa organizata për të drejtat e njeriut, mes tyre edhe Iran Human Rights (IHR), me seli në Norvegji.
Avokati Reza Shafakhah njoftoi se klienti i tij ishte dënuar me vdekje për aktivitetin e tij në platformën X (ish-Twitter). Mousavi publikonte përmbajtje në X dhe Instagram përmes llogarive anonime, ndërsa autoritetet iraniane pretendojnë se kanë identifikuar lidhjen e tij me profilin “James B. Din”.
Sipas organizatës Iran Human Rights, dënimi lidhet me aktivitetin e tij online në kundërshtim me autoritetet iraniane. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë kritikuar vazhdimisht përdorimin e akuzës për “korrupsion në tokë”, për shkak të kuptimit të gjerë dhe të paqartë që i japin autoritetet kësaj vepre penale.
Mousavi u arrestua në dhjetor të vitit 2024, së bashku me bashkëshorten e tij, në një aeroport të Teheranit, ndërsa po përgatitej të udhëtonte drejt ishullit iranian Kish, në Gjirin Persik. Gjatë paraburgimit, ai raportohet se kaloi 148 ditë në izolim.
Më 6 tetor 2025, rrëfimet e tij u transmetuan në kanalin e dytë të televizionit shtetëror iranian, gjatë edicionit të lajmeve të orës 20:30. Sipas organizatës Iran Human Rights, deklaratat dyshohet se ishin marrë nën presion dhe me forcë.
Sipas versionit të autoriteteve iraniane, Mousavi drejtonte një rrjet spiunazhi dhe lufte psikologjike në shërbim të Mossadit izraelit, duke përdorur pseudonimin “James the Faithless”.
Ai u akuzua gjithashtu se kishte vepruar si agjent i Izraelit për të nxitur pakënaqësinë gjatë protestave mbarëkombëtare të vitit 2022.
Megjithatë, pak pas transmetimit të rrëfimeve, Mousavi reagoi përmes një deklarate nga burgu i Evin, duke i cilësuar ato si “plotësisht të pavërteta”.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.