Irlandezët, krenarë për Presidentin Biden
Karlington, në brigjet lindore të Irlandës, pranë kufirit me Irlandën e Veriut është një ndër qytezat e mbrojtura më së miri nga periudha mesjetare. E themeluar në shekullin e 12-të nga normanët, aty gjen portën origjinale të qytetit, ku ndodhej edhe burgu, si dhe ndërtesa të tjera të asaj periudhe.
Pak kilometra larg qytetit, fshati Uajtstaun jeton me turizëm dhe në këtë periudhë po pret me padurim kthimin e normalitetit. Ky fshat po përpiqet ta shfrytëzojë turneun e Presidentit Biden për të tërhequr vëmendjen e vizitorëve. Në fund të viteve 1850, gjatë urisë që përfshiu vendin pasi prodhimi i patates u shkatërrua nga sëmundja, katragjyshi i presidentit amerikan nga familja Finnigan, emigroi në Shtetet e Bashkuara për një jetë më të mirë.
Alan Johnson dhe Turlough McCarthy janë kushërinj të largët të presidentit amerikan.
“Jam shumë i gëzuar që Joe Biden është president i Shteteve të Bashkuara. Nuk e kisha menduar kurrë që një kushëri i yni nga këto anë do të arrinte në këtë post,” thotë zoti Johnson.
“Jemi shumë krenarë që Joe Biden e ka origjinën nga gadishulli Kuli në Irlandë. E pabesueshme që tani ai është president i Shteteve të Bashkuara. I gjithë komuniteti është shumë krenar,” thotë zoti McCarthy.
Në fshat ende ka banorë me mbiemrin Finnegan, por vështirë të thuhet sa prej tyre janë kushërinj të presidentit. Klubi i Lili Finnegan ka ekzistuar që në fillim të viteve 1800, por banorët shpjegojnë se në këtë zonë ka rreth tetë familje të ndryshme me këtë mbiemër që nuk kanë lidhje gjaku mes tyre.
Kasollja e vogël e paraardhësve të presidentit ekziston ende, shpjegon Lita Notte, një historiane që banon në këtë zonë:
“Në këtë shtëpi që shihni pas meje jetonin të parët e Joe Bidenit para se të largoheshin nga Irlanda. Paraardhësit e tij u larguan si rezultat i urisë. Shumë nga familjet që jetonin këtu në atë kohë u detyruan të largohen pasi nuk kishte ushqim, nuk kishte mundësi jetese,” tregon historiania.
Presidenti amerikan ka rrënjë të thella në Irlandë. Tetë katragjyshët nga ana e nënës dhe dy katragjyshë nga ana e babait u lindën në Irlandë.
Vendndodhja gjeografike në brigjet e Detit të Irlandës e bën këtë zonë tërheqëse për vizitorët, por si rezultat i pandemisë sektori i turizmit është goditur rëndë.
Banorët shpresojnë se me kthimin e normalitetit, do të rikthehen edhe turistët, këtë radhë jo vetëm për natyrën piktoreske apo qytetin historik të Karlingtonit, por edhe për të vizituar vendlindjen e të parëve të presidentit të 46-të amerikan.