Ish-drejtori i FBI-së James Comey vazhdon të godasë Donald Trumpin
Një vit më parë ai u pushua nga puna. Tani, ish drejtori i FBI-së Comey ka kthyer në tabelë qitjeje presidentin amerikan, Trump.
Ish-drejtori i FBI-së, deklaroi se ai nuk u beson spekulimeve, sipas të cilave Trump është i papërshtatshëm, sepse është në fazën fillestare të sëmundjes së sklerozës ose se ai është i sëmurë psiqik. “Për mua ai është një person me inteligjencë mbi mesataren, i cili është në gjendje të ndjekë bisedën dhe të kuptojë çfarë po ndodh para tij,” tha 57-vjeçari Comey. “Unë nuk besoj se gjendja shëndetësore e tij nuk e lejon të jetë president. Unë mendoj se ai nuk është i përshtatshëm të jetë president, nga pikëpamja morale”. Comey theksoi: “Presidenti ynë duhet të jetë mishërim i respektit dhe duhet të mbrojë vlerat, që janë themelet e vendit tonë”. Më e rëndësishmja është “e vërteta”, por “ky president” nuk “është në gjendje të thotë të vërtetën”.
Rusia mund të ketë diçka në dorë
Trump e pati pushuar Comey nga puna në maj të 2017 dhe më vonë pati thënë se kishte lidhje me hetimet e FBI për Rusinë. Pasojë e pushimit të tij nga puna ishte emërimi i prokurorit special Robert Mueller, i cili është duke zhvilluar hetime për përzierjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016 dhe lidhjet e kampit të Trumpit në këtë çështje.
Lidhur me pyetjen nëse ai beson që Rusia të ketë diçka në dorë kundër Trumpit, Comey tha se ai mendon se kjo mund të jetë e mundshme, dhe pohoi pak më vonë se ky është një pohim me pasoja. Ai nuk është në gjendje ta përjashtojë si mundësi.
Akuza për pengimin e institucioneve të drejtësisë
Ish-drejtori i FBI-së tha se ai e sheh si të mundshme që Trump të ketë penguar drejtësinë. Sigurisht që për këtë ekzistojnë dëshmi. Ai thotë se në këtë rasti ai nuk është hetues ose organ i prokurës, por vetëm një dëshmitar.
Në pasazhet e intervistës bëhej fjalë për një bisedë midis presidentit dhe drejtorit të FBI në shkurt të 2017. Sipas tregimeve të Comey-it, në të Trump ka shprehur dëshirën që të pezullohen hetimet e FBI kundër këshilltarit të atëhershëm për çështjet e sigurisë kombëtare, Michael Flynn. Trump e hedh poshtë këtë version. Disa vëzhgues shohin në këtë ngjarje përpjekje për të penguar institucionet e drejtësisë.
Publikohet libri i Comey
Ka ditë që Trump dhe Comey mbulojnë njëri tjetrin me sharje. Presidenti i SHBA dërgoi disa mesazhe me twitter të dielën në mëngjes, ku fliste kundër ish drejtorit të FBI, të cilin e quante tip jargaveci, që do hyjë në histori si drejtori më i keq që ka pasur FBI ndonjëherë.
Comey i lan hesapet me presidentin në librin e tij të ri. Libri me titull “A Higher Loyalty: Truth, Lies and Leadership” delë të martën (16.04) në shitje.