Ish-zyrtari i CIA-s pranon fajësinë, për 200 mln dollarë mashtroi me transferta elektronike
Një ish-zyrtar i CIA-s është deklaruar fajtor për mashtrim me transferta elektronike, pasi akuzohet se përdori programe fiktive të klasifikuara për të përvetësuar afro 200 milionë dollarë nga fondet qeveritare amerikane, me të cilat financoi blerjen e pasurive të paluajtshme dhe arit në Florida.
David Rush u deklarua fajtor të martën në një gjykatë federale në Virxhinia. Ai përballet me një dënim maksimal prej 20 vjetësh burgim, ndërsa marrëveshja për pranimin e fajësisë parashikon konfiskimin e të paktën 194 milionë dollarëve.
Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga CBS News, asetet që pritet të konfiskohen përfshijnë katër shtëpi në Florida, 298 shufra ari, 35 orë luksoze dhe dy automjete BMW.
Prokurorët pretendojnë se Rush përdori programe dhe aktivitete të klasifikuara qeveritare për të justifikuar shpenzimet, për të udhëzuar kontraktorët dhe për të marrë kontrollin e aseteve të blera me fondet.
Rreth 145 milionë dollarë u përdorën përmes kompanive të ndryshme për blerjen e pronave në Palm Beach dhe Hobe Sound, me synimin që ato të shiteshin më pas për fitim.
Ndërkohë, për blerjen e arit, Rush u tha kontraktorëve se një projekt tepër sekret kërkonte dërgimin e mallrave me vlerë te marrës të paidentifikuar. Sipas prokurorëve, një transfertë prej 45 milionë dollarësh nga një kontraktor drejt një kompanie holding në janar përbën bazën e akuzës për mashtrim me transfertat elektronike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.