FRANCË -Vazhdojnë protestat studentore, ministri i Arsimit fton përfaqësuesit në bisedime
PARIS, 8 tetor /ATSH-AA/ – Studentët e shkollave të mesme dhe të universiteteve kanë vazhduar protestat në të gjithë Francën për të kërkuar më shumë burime arsimore, pasi ministri i Arsimit, Edouard Geffray ftoi përfaqësuesit e studentëve për bisedime.
Geffray ftoi tre shoqata studentësh të shkollave të mesme – Union Syndicale Lyceenne (USL), Renouveau Lyceen dhe Lyceens! në ministri në orën 15:00 me orën lokale, ku do të marrë pjesë edhe ministri i Arsimit të Lartë, Philippe Baptiste, raporton “Le Parisien”.
Mobilizimi vazhdoi pasi kryeministri Sebastien Lecornu u zotua të mërkurën në mbrëmje të shpallte masat fillestare deri në fund të tetorit. Studentët bllokuan disa shkolla në Paris ndërsa Universiteti “Pantheon-Assas” anuloi orët e mëngjesit për shkak të bllokadës. Universiteti “Lumiere Lyon 2” mbylli tre kampuse për ditën, duke përmendur një rrezik të lartë përçarjeje.
Bllokada u raportuan edhe në shkollat e mesme në Angers, ku zjarrfikësit ndërhynë për të shuar kazanët e djegur të plehrave. Parashikimet e Ministrisë së Arsimit treguan se 224 institucione do të mbyllen plotësisht dhe 151 do të ndërpriten pjesërisht të enjten, rreth 30 për qind më pak institucione të prekura se sa parashikohej të mërkurën.
Organizatat studentore bënë thirrje për tubime jashtë prefekturave në rajonin Ile-de-France, e ndjekur nga një tubim në Place de la Bastille të Parisit në orën 15:00. Disa sindikata arsimore, përfshirë Snes-FSU, CGT, FO dhe Sud, mbështetën një ditë grevash dhe demonstratash.
Kërkesat përfshijnë 250 mijë vende shtesë universitare dhe përfundimin e përzgjedhjes përmes platformës së pranimeve Parcoursup. Presidenti i USL, Ryad Rani bëri thirrje për një takim me Lecornu javën e ardhshme, duke thënë se përfaqësuesit e studentëve i kishin propozime të llogaritura.
Ndërkohë, kryetarja e Asamblesë Kombëtare Yael Braun-Pivet u kërkoi protestuesve dhe policisë të qëndronin të qetë dhe bëri thirrje për përgjigje ndaj shqetësimeve të studentëve. Zëdhënësja e qeverisë Maud Bregeon mbrojti planet arsimore të qeverisë, duke thënë se 64 miliardë euro janë ndarë për arsimin kombëtar vitin e ardhshëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.