Bota

Itali, 24 orë kohë për formimin e qeverisë…pa Berlusconin!

Presidenti italian Sergio Mattarella ka bërë një hap pas, duke u dhënë sërish kohë udhëheqësve të “Lega Nord” dhe “Lëvizjes 5 yjet” për të arritur një pakt për formimin e qeverisë, me synimin për t’i dhënë fund 9 javëve të ngërçit politik.
Dy partitë, të cilat janë “armiqësore” ndaj kufizimeve buxhetore të Bashkimit Europian dhe kanë bërë premtime elektorale që do të kushtonin miliarda euro për t’u implementuar, i kërkuan kreut të shtetit gjatë së mërkurës edhe 24 orë kohë, për të parë nëse do të mund të arrinin një akord.

Një burim pranë “Lëvizjes 5 yjet” tha për “Reuters” se do të duheshin më shumë ditë për arritjen e një marrëveshjeje.

Italia është bllokuar në një ngërç politik që prej zgjedhjeve pa një fitues të qartë të 4 marsit, që nxorën bllokun e qendrës së djathtë (përfshi Lega Nord-in antiemigracion) të fitonte më shumë vende në Parlament, por ishte “Lëvizja 5 yjet” që rezultoi parti e parë.

Lëvizja e themeluar nga një komedian ka shprehur prej javësh gatishmërinë për të formuar koalicion me “Lega Nord”-in, por me kushtin që aleati zgjedhor i kësaj të fundit, “Forza Italia” e Silvio Berlusconit të mos përfshihet në qeverisje.

E pas refuzimeve të vazhdueshme për të pranuar një “veto” të tillë, Berlusconi më në fund u dorëzua mbrëmjen e së mërkurës, duke thënë se “Lega Nord” është e lirë të bashkëpunojë me “5 yjet”.

Tërheqja e Berluconit largoi një pengesë të qenësishme për një akord mes dy partive, por edhe me këtë të bërë realitet, bisedimet për formimin e qeverisë mes Luigi Di Maios së “5 yjeve” dhe Matteo Salvinit të “Lega Nord”-it gjithsesi nuk do të jenë të lehta.

“5 yjet” ka marrë më shumë mbështetje në jugun e varfër të Italisë, ndërsa baza kryesore elektorale e “Lega Nord” është veriu i pasur. E nëse e para kërkon që të prezantojë përfitime bujare të mirëqenies, e dyta kërkon të ulë taksat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button