ITALI – Alarm në sistemin sanitar: më shumë mjekë japin dorëheqjen sesa dalin në pension
– Sistemi Shëndetësor Kombëtar në Itali po përballet me një rritje të fortë të largimeve të mjekëve para moshës së pensionit, skruan ilsole24.it.
Në 12 nga 20 rajonet italiane, gjatë vitit 2025, numri i mjekëve që dhanë dorëheqjen para pensionit ishte më i lartë se ai që doli në pension për shkak të moshës.
Të dhënat, të përpunuara nga Qendra e Studimeve e Anaao Assomed, sindikata kryesore e mjekëve spitalorë, bazuar në të dhëna nga Onaosi, llogaritë vjetore të shtetit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave, tregojnë një rritje të paprecedentë të largimeve.
Në vitin 2025, dorëheqjet u rritën me 150% krahasuar me vitin 2024, kur ishin regjistruar 1.503 largime. Numri i mjekëve që u larguan arriti në rreth 3,5% të totalit të mjekëve në shërbim, niveli më i lartë i regjistruar në dekadën 2015-2025.
Fenomeni është veçanërisht i theksuar në Lazio, Trentino-Alto Adige, Friuli-Venezia Giulia dhe Sardenjë, ku numri i mjekëve që dhanë dorëheqjen është nga 2,4 deri në 3,3 herë më i lartë se numri i atyre që dolën në pension.
Për çdo 100 të punësuar, 43 largohen
Tensioni mbi personelin shëndetësor del edhe më qartë nga bilanci i vitit 2025. Për çdo 100 mjekë të punësuar me kontratë të përhershme, 43 dhanë dorëheqjen, ndërsa në total 77 mjekë u larguan nga sistemi publik, përfshirë pensionimet dhe shkaqe të tjera.
Sipas Anaao Assomed, mjekët që largohen nuk janë kryesisht në fund të karrierës, por profesionistë me një moshë mesatare rreth 48 vjeç. Sindikata e lidh fenomenin me turnet e lodhshme, pagat jo konkurruese në raport me vendet e tjera evropiane, kushtet e vështira të punës, ngarkesën administrative dhe agresionet në spitale.
Pavarësisht largimeve, të dhënat tregojnë se ka nisur edhe një rinovim gradual i stafit. Nga viti 2015 deri në 2024, mosha mesatare e mjekëve spitalorë u ul me 2 vjet e 7 muaj për burrat dhe 2 vjet e 4 muaj për gratë.
Në të njëjtën periudhë, numri i përgjithshëm i mjekëve spitalorë u rrit me 2,7%, nga 105.380 në 108.243.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces ka pasur “Decreto Calabria”, i cili nga viti 2019 deri në 2025 mundësoi hyrjen në sistem të afro 10 mijë mjekëve të rinj.
Jugu humbet mjekë
Problemi mbetet veçanërisht i fortë në jug të Italisë. Në dekadën e fundit, Italia Qendrore dhe Veriore regjistroi një bilanc pozitiv prej 4.029 mjekësh, ose +5,9%, ndërsa jugu humbi 1.166 mjekë, ose -3,1%.
Rënia më e madhe e numrit të mjekëve u regjistrua në Basilicata (-24,6%), Molise (-17,2%), Valle d’Aosta (-14,2%) dhe Calabria (-12,6%).
Anaao Assomed kërkon një plan të jashtëzakonshëm me masa për frenimin e largimeve dhe forcimin e sistemit shëndetësor publik, duke përfshirë edhe kthimin në mënyrë të përhershme të masave të “Decreto Calabria” dhe lidhjen më të ngushtë të specializimit me punësimin e mjekëve të rinj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.