ITALI – Meloni përballet me votimin vendimtar për reformën zgjedhore
ROMË, 8 tetor /ATSH-ANSA/- Qeveria e kryeministres italiane Giorgia Meloni përballet sot me një votim përfundimtar dhe shumë të rëndësishëm për një reformë të debatueshme zgjedhore, e cila mund të ketë pasoja të rëndësishme për të ardhmen e saj politike.
Në ditët e fundit, qeveria e saj ka siguruar një shumicë në tre votime për besimin e qeverisë në Dhomën e Deputetëve. Tani pritet votimi përfundimtar për të gjithë reformën, i cili do të jetë edhe votimi i fundit që duhet të kalojë në Parlament.
Senati, dhoma e dytë e Parlamentit italian, e miratoi projektligjin në mes të shtatorit.
Meloni, e cila është në krahun e djathtë të politikës, e ka kthyer këtë reformë në një provë për mbështetjen që gëzon qeveria e saj.
Ajo ka lënë të kuptohet se nëse reforma nuk miratohet, mund të ketë zgjedhje të parakohshme.
Zgjedhjet e përgjithshme në Itali janë planifikuar të zhvillohen rregullisht vitin e ardhshëm.
Opozita e majtë e akuzon Melonin se po përpiqet të krijojë një avantazh për veten dhe për partinë e saj të ekstremit të djathtë, “Vëllezërit e Italisë”.
Meloni është në pushtet prej gati katër vitesh, më gjatë se çdo kryeministër tjetër italian.
Sipas sistemit të propozuar, partia që merr të paktën 42% të votave do të përfitojë një bonus shumice.
Në këtë rast, koalicioni i ri qeverisës do të merrte 70 mandate shtesë në Dhomën e Deputetëve dhe 35 mandate shtesë në Senat.
Kjo do t’i jepte partisë fituese një shumicë funksionale në Parlament, edhe nëse ajo do të kishte marrë më pak se 50% të votave të qytetarëve.
Arsyetimi pas kësaj reforme është se, nëse krijohen shumica më të qëndrueshme parlamentare, ndryshimet e qeverive nuk do të ndodhin më aq shpesh sa kanë ndodhur në të kaluarën. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.