ITALI – Mijëra studentë në protesta në disa qytete kundër politikave të qeverisë për arsimin
Me sloganet “Para për shkollën, jo për luftën” dhe “Më pak armë, më shumë të drejta”, protestuesit kërkuan më shumë investime në arsim, përmirësimin e kushteve në shkolla dhe masa konkrete për të përballuar rritjen e kostos së jetesës.
Demonstratat u zhvilluan pas pushtimit të disa institucioneve arsimore gjatë ditëve të fundit dhe u shoqëruan me thirrje kundër qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni, ministrit të Arsimit Giuseppe Valditara dhe liderit të partisë ”Futuro Nazionale”, Roberto Vannacci.
Në Torino, disa mijëra të rinj marshuan në rrugët e qytetit, duke shpalosur pankarta, ndezur tymuese dhe kënduar këngën antifashiste “Bella Ciao”.
Një grup studentësh u ngjitën mbi monumentin e Vittorio Emanuele II, ndërsa gjatë protestës disa të rinj u identifikuan nga policia për shkak se kishin fytyrat e mbuluara.
Në Romë, gjatë marshimit drejt Ministrisë së Arsimit, persona me fytyra të mbuluara hodhën bomba artizanale dhe petarda, si dhe bllokuan rrugën me kosha mbeturinash. Pranë ndërtesës së ministrisë pati hedhje petardash, ndërsa protestuesit brohoritën slogane kundër ministrit Valditara dhe kërkuan më shumë klasa dhe më pak shpenzime për luftën.
Momente tensioni u regjistruan edhe në Bolonjë, ku rreth një mijë studentë marshuan nëpër qytet dhe mbërritën pranë stacionit të trenit, ku u ndaluan nga forcat e policisë të pajisura me mjete kundër trazirave. Disa protestues ndezën tymuese dhe hodhën shishe, duke shkaktuar përplasje me efektivët. Më pas, marshimi vijoi në drejtim të rrugës Irnerio.
Në Xhenova, një grup studentësh vendosi silueta të kryeministres Giorgia Meloni dhe ministrit të Arsimit Giuseppe Valditara kokëposhtë, pranë koshave të mbeturinave, dhe hodhi vezë drejt tyre. Veprimi simbolik kujtonte ngjarjet e 29 prillit 1945 në Piazzale Loreto të Milanos. Ndërkohë, përpara selisë së Konfindustrisë në qytet u dogj një tank prej kartoni.
Në Venecia, rreth 400 persona, sipas organizatorëve, ndërsa rreth 200 sipas policisë, morën pjesë në marshimin studentor. Gjatë protestës në Mestre, disa pjesëmarrës hodhën tullumbace me bojë të kuqe drejt murit të jashtëm të ndërtesës së Qytetit Metropolitan të Venecias, duke e cilësuar bojën si simbol të gjakut të derdhur në Gaza. Protestuesit kundërshtuan gjithashtu politikat e qeverisë në fushën e arsimit.
Ndërkohë, në Padova, Trevizo dhe Kaljari u zhvilluan gjithashtu demonstrata në kuadër të mobilizimit kombëtar studentor.
Sipas përfaqësuesve të kolektivit studentor OSA, në protestat e zhvilluara në të gjithë Italinë morën pjesë rreth 400 mijë studentë. Organizatorët njoftuan gjithashtu pjesëmarrjen në grevën e përgjithshme të 30 tetorit dhe në grevën studentore evropiane të 20 nëntorit kundër luftës.
Në kuadër të mobilizimit, Rrjeti i Studentëve njoftoi krijimin e nismës “Generazione Fuoriclasse”, me synimin për të vijuar protestat dhe për t’i dhënë vazhdimësi kërkesave të të rinjve. Koordinatorja kombëtare e organizatës, Angela Verdecchia, theksoi se kostot e larta të studimeve dhe të jetesës, mungesa e mbrojtjes për studentët dhe kushtet në shkolla kërkojnë zgjidhje strukturore.
Kryebashkiaku i Torinos, Stefano Lo Russo, u shpreh se protestat janë një e drejtë e studentëve dhe se kërkesat e tyre meritojnë të dëgjohen. Megjithatë, ai dënoi aktet e vandalizmit dhe shkatërrimin e ambienteve shkollore, duke theksuar se këto veprime rrezikojnë të zhvendosin vëmendjen nga problematikat kryesore të ngritura nga të rinjtë./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.