Roshi, apel protestuesve: Muzeu Historik Kombëtar, vlerë që duhet mbrojtur
Muzeu Historik Kombëtar, një prej institucioneve më të rëndësishme të kujtesës dhe identitetit kombëtar shqiptar duhet të mbrohet dhe jo të sulmohet.
Ky është apeli i drejtoreshës së Muzeut Historik Kombëtar, Elenita Roshi, e cila në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), theksoi rëndësinë e veçantë që ky institucion mbart për kombin dhe historinë shqiptare.
Apeli vjen pas disa përpjekjeve nga ana e protestuesve për të goditur mjediset e këtij institucioni.
Ndërkaq, në apelin e saj, drejtoresha Roshi theksoi se muzeu është një dëshmitar i periudhave të vështira të historisë, por edhe i momenteve të krenarisë kombëtare, duke ruajtur gjurmët e ngjarjeve dhe figurave që kanë shënuar ndër shekuj identitetin e popullit shqiptar.
Ajo vuri në dukje se mbrojtja, ruajtja dhe vlerësimi i këtij institucioni janë thelbësore jo vetëm për të respektuar të kaluarën, por edhe për të përcjellë te brezat e ardhshëm vlerat historike, kulturore dhe identitare që ai mbart.
“Po aq sa kemi të drejtë të shpresojmë e të luftojmë për një Shqipëri më të mirë, po aq edhe duhet të kemi në mend se të parët tanë e kanë mbështetur shpresën e tyre mbi një histori që duhet të shprehet, kuptohet dhe lexohet diku, pikërisht në këtë godinë e cila duhet ruajtur”, u shpreh Elenita Roshi për ATSH-në.
Përtej funksionit të tij si hapësirë ekspozimi, muzeu përbën një institucion të kujtesës sonë kolektive dhe që ndihmon në njohjen dhe në kuptimin e proceseve historike. Në prag të 45-vjetorit, Muzeu Historik Kombëtar mbetet një simbol i rëndësishëm i trashëgimisë historike shqiptare dhe i përgjegjësisë për ta ruajtur atë si pjesë të identitetit kombëtar, duke e bërë historinë të njohur dhe të kuptueshme për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.
Muzeu Historik Kombëtar është në prag të 45-vjetorit të krijimit të tij. I përuruar më 28 tetor 1981, muzeu përfaqëson një pikë referimi për historinë e Shqipërisë, duke sjellë përmes pavijoneve, objekteve dhe dokumenteve dëshmi të rëndësishme të rrugëtimit historik të vendit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.