ITALI – Rifillojnë fluturimet në aeroportin e Katanias pas uljes së aktivitetit të Etna-s
ROMË, 15 gusht /ATSH-DPA/ – Fluturimet në aeroportin e Katanias, në Sicili, rifilluan sot pasdite pasi autoritetet ulën nivelin e alarmit për aktivitetin vullkanik të malit Etna nga i kuq në portokalli.
Operatori i aeroportit, SAC, njoftoi se fluturimet në mbërritje dhe nisje do të rifillonin pasdite.
Megjithatë, pasagjerëve u është kërkuar të kontrollojnë paraprakisht statusin e fluturimit me kompaninë ajrore, pasi situata mund të ndryshojë.
Edhe pse faqja e aeroportit vazhdonte të shfaqte shumë fluturime të anuluara ose të devijuara, disa avionë nisën të uleshin dhe të ngriheshin nga Katania gjatë pasdites.
Ndër fluturimet e konfirmuara ishin lidhjet me Sharlerua në Belgjikë dhe Bukureshtin në Rumani.
Aeroporti kishte njoftuar dje se pezullimi i fluturimeve do të zgjaste deri të shtunën në orën 15:00.
Por gjatë mëngjesit të sotën, niveli i alarmit për Etna-n u ul nga i kuq në portokalli, duke bërë të mundur rikthimin gradual të operacioneve.
Sipas raportit më të fundit të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë të Italisë (INGV), emetime të dobëta të hirit vullkanik vazhdojnë, por ato janë të kufizuara në zonën e kraterit në majë të malit.
Që prej fillimit të shpërthimit më shumë se një javë më parë, qindra fluturime janë anuluar, vonuar ose devijuar.
Sipas SAC, rreth 36% e fluturimeve të planifikuara në Katania u anuluan nga 6 deri më 12 gusht.
Operatori e ka cilësuar ndikimin e shpërthimit në infrastrukturën e aeroportit si më të rëndin në 20 vitet e fundit.
Sasi të mëdha hiri vullkanik dhe rëre shumë të imët mbuluan pistat, rrugët lidhëse dhe zonat e qëndrimit të avionëve.
Situata po monitorohet nga afër, ndërsa rifillimi i fluturimeve nuk do të thotë domosdoshmërisht se të gjitha operacionet janë kthyer menjëherë në normalitet. Pasagjerët që udhëtojnë drejt ose nga Katania duhet të verifikojnë statusin e fluturimit para nisjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.