Italia forcën sërish masat, Conte: Mbyllim gjithçka dhe dyqanet, përveç supermarketeve dhe farmacive
Italia ka shtrënguar akoma më shumë masat për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Në një konferencë për mediat, kryeministri italian Giuseppe Conte deklaroi se duke nisur nga nesër do të mbyllen të gjitha dyqanet, përveç supermarketeve dhe farmacive.
“Tashmë është koha për të ndërmarrë një hap më shumë, më të rëndësishmin. Tani kemi bërë gjithashtu mbylljen e të gjitha aktiviteteve tregtare, me përjashtim të atyre të nevojave themelore, supermarketeve dhe farmacive. Ne do mbyllim edhe dyqanet. Në këto dy javë do të shohim efektet e para të kësaj përpjekje”.
Po ashtu Conte, teksa pohoi se kjo masë do të jetë për një periudhë 2 javore, theksoi se do të emërojë një komisar të jashtëzakonshëm, detyrë që do i besohet Domenico Arcurit.
Deri më tani përllogariten 10.590 raste pozitive të koronavirusit në Itali, 2.076 më shumë sesa të martën, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 827. Kujtojmë se Italia tashmë ka shpallur zonën e kuqe në të gjithë territorin e saj.