Rajoni

Ivanov: Maqedonia me NATO-n ndajnë vlera, interese dhe prioritete të njëjta

Sot, në Shkup u mbajt Konferenca e 21-të e shefave të Shtatmadhorive të ushtrive të vendeve anëtare të SHBA-Kartës së Adriatikut (A-5), Maqedonisë, Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi. Konferenca u hap nga shefi i Shtatmadhorisë së Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM), gjeneral-lejtnant Metodija Veliçkovski, ndërsa në të u diskutua rreth zgjerimit të bashkëpunimit mes shteteve anëtare për integrimin e plotë në NATO dhe kontribut në sigurinë e Aleancës.

Ai falënderoi shefat e shtatmadhorive që ndihmuan Maqedoninë të jetë bashkëkryesuese në 25 vjetorin e formimit të ARM-së, duke vënë në dukje se Maqedonia së bashku me të gjithë partnerët dhe miqtë është e gatshme për të ndarë përvojat dhe perspektivat, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin për integrim të plotë në NATO. Para pjesëmarrësve gjatë konferencës u adresua edhe Presidenti i Maqedonisë dhe Komandanti Suprem i forcave të armatosura, Gjorge Ivanov, i cili, mes tjerash, theksoi se dera e hapur për të hyrë në Aleancë është ftesë metaforike, por, megjithatë, siç tha ai, Maqedonia dhe NATO-ja ndajnë vlerat, interesat dhe prioritetet e njëjta.

Ivanov tha se për shkak të radikalizimit të luftëtarëve të huaj, Evropa gjithnjë e më shumë përballet me sulme të kryera nga migrantë të gjeneratës së dytë ose të tretë të ardhur në vendet evropiane, duke shtuar se për t’iu përgjigjur këtij kërcënimi, është e nevojshme që vendet e Kartës së Adriatikut të integrohen plotësisht në arkitekturën e sistemit të sigurisë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian me qasje të papenguar në të gjitha bazat e të dhënave.

Presidenti Ivanov theksoi se rrugën që në vitin 2015 e hapën refugjatët dhe emigrantët, filluan ta përdorin edhe luftëtarët e huaj terrorist. Ai shtoi se shumica prej tyre të cilët në Lindjen e Mesme shkuan si radikalistë dhe ekstremistë, në Evropë kthehen si terroristë.

“Vlerësohet se të paktën 5.600 luftëtarë të huaj nga Evropa kanë shkuar në fushëbeteja në Siri dhe Irak, që është 15 për qind e numrit të përgjithshëm të luftëtarëve të DEASH-it. Ka 300 nga Austria, 300 nga Belgjika, 135 nga Danimarka, rreth 950 nga Gjermania, rreth 100 nga Norvegjia dhe rreth 300 nga Suedia. Afërsisht një e treta e tyre janë kthyer tashmë në vendet e tyre amë në Evropë. Vetëm nga Ballkani kanë shkuar rreth 960 njerëz. Sipas të dhënave të fundit, nga Maqedonia ka 154, nga të cilat 33 janë vrarë dhe 80 janë kthyer. Në Siri kanë mbetur 41, prej të cilëve 33 janë në DEASH dhe tetë në Al Nusra. Nga Bosnjë dhe Hercegovina kanë shkuar 237 persona. Më së shumti luftëtarë të huaj ka nga Kosova, 317, prej të cilëve 130 janë kthyer. Nga Shqipëria ka 150, nga Mali i Zi 13 dhe nga Serbia rreth 50”, tha Ivanov.

Sipas zëvendëskomandantit të komandës së Ushtrisë së SHBA-ve për Evropë, gjeneral-lejtnant Timothy Ray, Komanda Evropiane e SHBA-ve mbetet e angazhuar për Evropën dhe pret vazhdimin marrëdhënieve të forta në mes të të gjithë partnerëve aleatë evropianë të pranishëm në këtë konferencë.

“Unë jam i bindur se ne do të vazhdojmë t’i ndërtojmë marrëdhëniet tona të forta me udhëheqësit e Kartës së Adriatikut (A5), duke u përpjekur për ta forcuar dhe rritur sigurinë në Evropën Juglindore, për të vazhduar integrimin në NATO dhe për të kontribuuar në sigurinë kolektive të Evropës. Komanda Evropiane e SHBA-ve do të vazhdojë të përpiqet për rrugën euroatlantike të rajonit, duke përfshirë edhe anëtarësimin e ardhshëm në NATO të Maqedonisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës”, tha Ray.

Traktati themelues i Kartës së Adriatikut u nënshkrua zyrtarisht në vitin 2003, më të cilën, krahas SHBA-ve si përkujdesës, Maqedonia, Shqipëria dhe Kroacia u zotuan që përmes një kornize institucionale ta zhvillojnë bashkëpunimin rajonal në fushën e mbrojtjes. Në vitin 2008, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Mali i Zi iu bashkangjitën kësaj iniciative, ndërsa Serbia, Kosova dhe Sllovenia kanë statusin e vendeve vëzhguese. Takimet në nivelin e shefave të shtatmadhorive mbahet një herë në vit, ndërsa shqyrtohen çështjet në fushën e trajnimit ushtarak, bashkëpunimi ushtarak-teknik, operacionet për mbështetjen e paqes dhe tema të tjera në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button