IZRAEL – Eisenkot pritet të formojë qeverinë e re brenda 48 orësh, mes përplasjeve me Netanyahun
-Udhëheqësi i partisë “Yashar”, Gadi Eisenkot, po përgatitet të shpallë formimin e koalicionit të ri qeverisës në Izrael dhe ta çojë atë për votim në parlament brenda një ose dy ditësh, me synimin për të kufizuar kohën për presionet dhe manovrat politike, që mund të pengojnë krijimin e qeverisë, sipas “The Times of Israel”.
Sipas raportimeve të transmetuesit publik izraelit KAN, Eisenkot synon ta bëjë njoftimin në një moment të papritur dhe të kërkojë sa më shpejt votimin në “Knesset”, parlamentin izraelit.
Kjo strategji synon të kufizojë mundësinë, që aleatët e tij të ndryshojnë qëndrim ose të tërhiqen nga marrëveshja në momentin e fundit.
Megjithatë, përpjekjet për krijimin e qeverisë përballen ende me vështirësi.
Bisedimet mes partisë “Yashar” dhe “Likud” të kryeministrit në detyrë, Benjamin Netanjahu, përfunduan dje pa një marrëveshje konkrete.
Palët kanë mosmarrëveshje për çështje të rëndësishme, përfshirë përbërjen e qeverisë së ardhshme dhe përfshirjen e ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.
Eisenkot po zhvillon gjithashtu negociata me partitë ultraortodokse dhe ato arabe, në një përpjekje për të siguruar mbështetjen e nevojshme në parlament.
Megjithatë, disa nga aleatët e tij kanë kundërshtuar publikisht, mundësinë e bashkëpunimit me parti të caktuara.
Nëse negociatat nuk japin rezultat, Eisenkot po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një qeverie pakice për votim në Knesset.
Kjo qeveri mund të marrë miratimin parlamentar edhe pa siguruar mbështetjen e shumicës absolute prej 61 deputetësh, nëse arrin të marrë më shumë vota pro sesa kundër.
Sipas raportimeve të medieve izraelite, Eisenkot shpreson që disa parti të votojnë pro qeverisë së tij, ndërsa të tjera të mos votojnë kundër, duke i hapur rrugë formimit të saj.
Eisenkot ka kohë deri më 6 dhjetor për të formuar qeverinë, me mundësinë e një zgjatjeje prej 14 ditësh nga presidenti Isaac Herzog.
Nëse dështon, mandati mund t’i kalojë një politikani tjetër ose vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.